Prizren, Drejtoria e Urbanizimit realizon projektin në mënyrë klandestine
Prizren, 29 gusht - Nga muaji korrik, EC Ma Ndryshe ka nisur zbatimin e projektit Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm, përkrahur financiarisht nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).
Nevoja për mbikëqyrjen e zhvillimeve në sektorin e urbanizimit ka rrjedhë si pasojë e zhvillimeve të shumta negative gjatë periudhës së pasluftës dhe tranzicionit që janë manifestuar me degradimin urban dhe planifikimin e pa-balancuar hapësinor.
Projekti synon që të instaloj një sistem të monitorimit të përhershëm të aktivitetit shtetëror (dy nivelet e pushtetit dhe organet e drejtësisë) në fushën e menaxhimit dhe zhvillimit urban në qytetin e Prizrenit, me theks të veçantë në Qendrën Historike të tij, për të siguruar rend urbanistik.
EC Ma Ndryshe gjatë muajit gusht ka shqyrtuar çështjen e renovimit të oazës dhe trotuarit në mes të urës së Arastës dhe urës së Gurit, me çrast është gjetur se punimet ndërtimore në projektin e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të komunës së Prizrenit kanë nisur pa respektimin e procedurave ligjore respektivisht marrjen e pëlqimit nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve Historike të Prizrenit dhe Këshilli për Trashëgimi Kulturore.
Në kuadër të hulumtimit të këtij rasti monitoruesit e EC Ma Ndryshe kanë pranuar përgjigjen nga IMMH-ja, me të cilën konfirmohen shkeljet e bëra nga DUPH-ja.
Ju informojmë që DUPH ka filluar punimet pa e parashtruar kërkesën për pëlqim, thuhet në letrën e IMMH-së, ku sqarohet se kërkesa është parashtruar pas nisjes së punimeve dhe se e njëjta është proceduar në Komisionin për shqyrtimin e lëndëve për Qendrën Historike të Prizrenit në MKRS.
Ndërsa DUPH në përgjigjen e saj ka theksuar se lëndën e kompletuar së bashku me shkresat përcjellëse, ia ka dorëzuar dhe prezantuar Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Prizrenit, konform Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit me datën 20 prill 2013, kur është mbajtur mbledhja konstitutive e Këshillit dhe se këtu është marrë pëlqimi për të vazhduar me procedurat e mëtutjeshme. DUPH ka njoftuar se lënda për pëlqim në IMMH është dërguar më 19 korrik dhe se deri më 20 gusht nuk është marrë përgjigja nga IMMH-ja.
Por informata e dhënë nga DUPH-ja është demantuar nga përmbajtja e informatës së pranuar nga kryetari i Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Prizrenit, Vesel Hoxhaj, i cili në përgjigjen e tij ka sqaruar se kërkesa e DUPH-së për pëlqim për renovimin e oazës dhe trotuarit në mes të urës së Arastës dhe urës së Gurit në KTK është paraqitur më 19 korrik 2013, në mbledhjen e rregullt të Këshillit. Sipas Hoxhës pas shqyrtimit të projektit dhe kërkesës nga anëtarët e KTK-së është dhënë pëlqimi për këtë projekt.
Në datën e dhënies së pëlqimit nga KTK-ja, punimet kanë qenë duke u zhvilluar në këtë hapësirë. EC Ma Ndryshe përkujton autoritetet komunale të Prizrenit dhe DUPH-në se në bazë të nenit 16 të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, DUPH është e obliguar që ti dorëzoj IMMH-së dhe KTK-së nga një kopje
të të gjitha kërkesave për projekte për leje urbanistike, ndërtimi, rrënimi apo ndryshimi të objekteve, për ndërrim të destinimit të tyre, zhvillim të aktiviteteve të përkohshme apo çfarëdo zhvillimi tjetër brenda Qendrës Historike të Prizrenit. Gjithashtu DUPH është e obliguar që të pres së paku 15 ditë për pëlqimin apo refuzimin e kërkesës nga IMMH-ja.
EC Ma Ndryshe konstaton se në rastin konkret DUPH-ja ka bërë shkelje të këtyre dispozitave ligjore ngase pa pëlqimin paraprak të IMMH-së dhe me pëlqimin e vonuar të KTK-së ka nisur punimet ndërtimore në renovimin e oazës dhe trotuarit në mes të urës së Arastës dhe urës së Gurit.
Në bazë të të gjeturave, vlerësojmë se qasja e këtillë e Komunës ndaj Qendrës Historike të Prizrenit respektivisht mos përfillja e organeve konsultuese të nivelit lokal dhe qendror është e papranueshme dhe e dëmshme për ruajtjen e trashëgimisë historike, kulturore dhe të vlerave urbane të qendrës së Prizrenit.
Ne gjithashtu i bëjme thirrje DUPH-së që të ndërpres praktikën klandestine të realizimit të projekteve dhe të respektoj ligjet dhe organet përkatëse, por edhe procesin e konsultimeve me shoqërinë civile në mënyrë që projektet që i zbaton të jenë në përputhje me ligjin dhe në dobi të qytetarëve.
EC Ma Ndryshe rekomandon kryetarin e Komunës së Prizrenit që në përputhje me kompetencat që ka të marrë masa për ndërprerjen e praktikave të tilla të shkeljes së procedurave dhe ligjeve nga vet institucionet komunale, jo vetëm në Qendrën Historike por në tërë komunën e Prizrenit. Paralelisht, nga organet e drejtësisë kërkojmë që të hetojnë këtë rast dhe sigurojnë sundimin e ligjit në sferën e urbanizimit.
Urbanizimi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm do të vazhdoj me monitorimin dhe publikimin e të gjeturave në sektorin e urbanizimit dhe planifikimit hapësinor, sikurse edhe me adresimin e përgjegjësisë institucionale.