Privatizohet "CFR Marfa" e Rumanisë
Bukuresht, 21 qershor - "Grup Feroviar Roman" fitoi tenderin për privatizimin e 51% të aksioneve të operatorit shtetëror për transportin hekurudhor të mallrave "CFR Marfa", duke ofruar shumën më të lartë prej 202 milion euro.
Lajmi u bë i ditur për mediat nga ministri rumun i transportit, Relu Fenechiu.
Pagesa do të bëhet që në fillim, ndërkohë që në kompani gjatë viteve të ardhshme do të investohen 200 milion euro. Për mbrojtjen e mjedisit do të vihen në dispozicion 1.5 milionë euro.
Autoritetet e caktuan çmimin fillestar të privatizimit të aseteve në 180 milionë euro, në një kohë që kompania "CFR Marfa" është e zhytur në borxhe, ndërsa humbjet për këtë vit përllogariten në 61.5 milion dollarë.
"Grup Feroviar Roman", është kompania më e madhe në vend për shërbimet e transportit hekurudhor. Ajo nisi punën në vitin 2001 dhe operon edhe në Hungari, Bullgari, Serbi, Ukrainë, Moldavi, Mal i Zi dhe Mozambik.