Privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore është bllokuar
Prishtinë, 15 shkurt - Privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë është bllokuar tash 8 muaj, si pasojë e dështimit në përzgjedhjen e Bordit të ri të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Më kërkesë të Kuvendit të Kosovës, Qeveria ka kthyer për herë të dytë listën me kandidatë për anëtarë të Bordit të AKP-së, pasi që CV-të e këtyre të fundit ishin të pakompletuara.
Sipas ekspertëve të ekonomisë, kjo zvarritje nuk mund të arsyetohet ndryshe përveç se tendencës për futjen e militantëve partiakë në këtë bord.
Kjo mund të jetë një luftë për futjen e militantëve partiakë, sepse përndryshe nuk ka asnjë motiv ekonomik, social, apo motiv tjetër që e arsyeton ndërprerjen e procesit të privatizimit, ka thënë Ibrahim Rexhepi, drejtor ekzekutiv i STRAS-it.
Ai thotë se nuk beson në atë se Qeveria ka qëllim që ta ndërpresë procesin e privatizimit.
Tekefundit procesi i privatizimit, si proces nuk ka ndonjë efekt të mirë në qofte se nuk prodhon vlera të reja në kuptimin e aktivizimit të ndërmarrjeve, apo punësimeve të reja që përndryshe vetëm transformimi i pronës nuk ka ndonjë vlerë, ka thënë Rexhepi. Ndërsa Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës, ka thënë se Kuvendi duhet të bëjë presion mbi Qeverinë që kandidatët ti plotësojnë kriteret formale.
Nuk guxon të mbesin shumë gjëra që lidhen me procesin peng i mungesës së bordit, duke pasur parasysh që ende kemi ndërmarrje që e kanë një rëndësi vitale për ekonominë e vendit dhe në mungesë të këtij bordi ne realisht jemi të bllokuar. Ne e kemi filluar si proces dhe suksesi i procesit varet nga ajo se sa është efikas procesi, me këto vonesa procesi e humb efikasitetin, ka thënë Rukiqi.