Privatizimi i KEDS dhe Telekomit dëmtojnë ekonominë e Kosovës
Prishtinë, 11 maj - Lëvizja Vetëvendosje paraqiti sot të dhënat mbi dëmtimin e interesit publik, dëmtimin e pronës publike dhe parregullsitë, që janë rezultat i procesit të privatizimit të ndërmarrjeve publike në Kosovë, konkretisht i KEDS dhe Telekomit.
Në një konferencë për shtyp, Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu u shprehen se privatiuzmet e bëra nga qeveria janë të mbuluara nga mungesa e informacionit,
Ahmeti ka thënë se KEDS-i po del që nuk është shitur as për 26 milionë euro ku pas atyre 15 milionë eurove për orët digjitale tash po dalin edhe këto 17.8 miliona tjerë.
KEDS-in po del se i kanë dhënë para Çalik-ut që ta marre. Blerësit po del se shitësi i ka borxh.
\"Shtrohet pyetja se pse është caktuar kjo shumë 17.8 milion euro. Për shkak se koha sa ZRrE mund të ndikojë në çmim është e kufizuar. Me 1 janar 2015 ZRrE nuk do të mund të ndikojë në çmimin e operatorëve të liçensuar. Ligji 03/L-185 për rregullatorin e energjisë Neni 41, Pika 1.2. thotë:\"
Pas 1 Janarit 2015 Zyra e Rregullatorit të Energjisë do të ndërpresë caktimin e tarifave të cilat u ngarkohen konsumatorëve nga ndërmarrja e energjisë elektrike që mban licencën për furnizim publik, përveç nëse Zyra nuk është e kënaqur me efektshmërinë e konkurrencës në furnizimin e energjisë elektrike, ka theksuar Ahmeti.
Neni më lart nga Ligji për rregullatorin tregon qarte se pas 2015, kur duhet të liberalizohet tregu i furnizimit, ZRrE-ja nuk do të këtë kurrfarë roli në përcaktimin e çmimit dhe të tarifave të energjisë elektrike.
Gjate tërë kohës sa herë që është ngritur shqetësimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike ministri sipas Ahmetit është thirrur në ZRrE-në. Ndërkohë që kjo, edhe po ta kishte mundësinë e plotë e reale tash për tash, këtë mundësi nuk do ta këtë as formalisht pas një viti e gjysmë.
Ai ka theksuar se nuk ka asnjë justifikim apo shpresë se blerësi nuk do të kërkojë ngritjen e çmimit të energjisë. ZRrE mund të bëjë rezistencë edhe një apo dy herë të tjera por presioni i kompanisë tek KEK (furnizuesi) dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik shumë shpejt do të sjellë ose në ngritje të çmimit ose në mbulim të kësaj diference nga buxheti për llogari të kompanisë.
\"Që prej 2010 kemi pasur ngritje të çmimit të bukës paralelisht me atë të çmimit të energjisë. Siç e dini artikulli i parë që pëson rritje të çmimit pas asaj të energjisë është buka. Po ashtu nuk ka asnjë privatizim të kësaj fushe që nuk është shoqëruar me rritje të çmimit të energjisë. Ndërkohë që rritja ekonomike nuk përkon me çfarë një njësie (familje/individ) i duhet të paguajë\", ka theksuar me tutje Ahmeti.
Me faljen e KEDS-it monopoli publik sipas tij po bëhet monopol privat. Nuk ka asnjë indicie që privatizimi i Distribucionit do të krijojë diçka të re në kuptimin e konkurrencës dhe përfitimeve prej saj pra çmime më të favorshme apo përmirësim cilësie në shërbime.
Në kushtet e një monopoli të tillë, ku varshmëria e Qeverisë, e çdo qeverie jo veç e kësaj, nga Çalik-Limak është 100% rrezikohen seriozisht investimet e pretenduara në shifrën 300 milionë.
\'Po ashtu siç ka theksuar Ahmeti se mbifaturimi është i pashmangshëm në kushtet e një rrjeti me humbje, investimet për të cilin do të vo\'nojnë, dhe në situatën kur një pjesë e territorit furnizohet me rrymë por nuk paguan për të.
\"Duke ditur nivelin e varfërisë në Kosovë, mbifaturimi apo pagesa nga buxheti për Çalik-un është i pashmangshëm. Në këtë skenar ne vetëm kemi privatizuar fitimin ndërsa kemi rritur humbjet e shtetit, kemi shtrenjtuar rrymën dhe kemi ngarkuar qytetarin edhe më shumë\", ka pohuar Ahmeti.
Lëvizja VETEVENDOSJE! në konferencën e saj për shtyp publikoi fakte në lidhje privatizuesin e PTK-së, kompaninë ACP Axos e cila u zgjodh si fituesi i 75% të aksioneve të PTK-së.
Në këtë konferencë Vetëvendosje publikoi rezultatet financiare të kësaj kompanie si dhe zyrën qendrore te këtij investitori te huaj.
Dardan Sejdiu ka thënë se po të njëjtën ditë zyrtarë të Qeverisë, përkatësisht ata të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik me anë të mediave thanë që do përgjigjen në këto brenga të ngritura nga VETEVENDOSJE!, për 24 orë.
Dhe sot 1 muaj më vonë Qeveria sipas tij ende s\'është përgjigjur në brengat dhe pyetjet tona. Pra, kush janë blerësit e PTK-së, kush qëndron prapa ACP Axos?
Gazeta Jeta në Kosovë më 29 prill 2013 publikoi një intervistë ku drejtori menaxhues i ACP Axos zbulon se mjetet për privatizimin e PTK-së vijnë nga një entitet të cilin e kontrollon ACP Axos Capital e që quhet Axos Cayman, i cili ndodhet në ishujt Cayman, kompani kjo e cila ka shërbyer si vegël për investime që nga viti 2007.
Sejdiu ka thënë se Ishujt Cayman janë të njohur si parajsa për paratë që i shmangen tatimeve dhe që fshihen nga kontrolli i shteteve mbi prejardhjen e tyre. Ky fakt e bën edhe më tronditës privatizimin e PTK-së.
Përveç se bilancet financiare të ACP Axos tregojnë për një kompani e cila nuk ka muskuj të mjaftueshëm financiar, gjithashtu tanimë dimë se prejardhja e parave që do përdoren për blerjen e PTK-së është e fshehur.
\"Nëse kjo kompani ashtu siç pretendon Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka menaxhuar ose mbledhur mbi 250 milionë viteve të fundit, si është e mundur që të hyrat e saj si dhe fitimi në asnjë moment mos të kalojnë disa mijëra euro? Çdo kompani serioze në botë e që merret me menaxhim të mjeteve ka tarifë prej se paku 0.3% të shumës që ka nën menaxhim.\"
\"Rrjedhimisht, nëse ACP Axos ka menaxhuar me 250 milionë, atëherë te hyrat e saj do të duhej të ishin se paku 7.500.000 euro për ketë menaxhim, por në rastin e ACP Axos kjo shumë është mijëra euro\", ka theksuar ai.
Pra, nuk dihet prej ka vijnë paratë për blerjen e PTK-së, s\'dihet se kush qëndron prapa ACP Axos, dhe pretendimet se ACP Axos ka menaxhuar mbi 250 milionë euro nuk qëndrojnë.
Sejdiu ka theksuar se arsyetimi i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Qeverisë se privatizimi i publikes është i domosdoshëm meqë po pretendojmë të ndërtojmë një ekonomi të tregut nuk qëndron për shumë arsye.
Duhet pasur parasysh se në ekonominë e tregut të lirë, mund të konkurrojnë ndërmarrjet private dhe ato publike.
Aktualisht 5 nga 10 kompanitë më të suksesshme të Telekomit në botë janë në pronësi publike, dhe 3 prej tyre janë në shtete të Bashkimit Evropian, pa përmendur këtu as Telekomin e Sllovenisë i cili është 75% në pronësi të shtetit dhe është pronar i IPKO-së në Kosovë, e as SwissCom kompaninë e telefonisë në Zvicër e cila po ashtu është në pronësi të shtetit.
Sejdiu ka vlerësuar se argumenti i hapjes, dinamizmit të tregut, konkurrencës e të ngjashme në këto kushte që ka Kosova nuk qëndron.
Në rastin e Kosovës sipas tij tregu i telekomit është treg në të cilin PTK ka aq shumë pjesëmarrje në treg (% të tregut) sa që kostoja fikse për shërbimin e dhuruar tani më është aq e ulët për shkak të shkallës që ka me pjesëmarrjen e krijuar në treg (mbi 70% të tregut) sa që edhe nëse kemi liberalizim përsëri nuk do të kishim më shumë se 3-4 operatorë ngase investimet fillestare janë shumë të larta ndërsa tregu është tepër i vogël për të përballuar më shumë operatorë.
Pra, tregu i telekomit do të mbetet oligopolistik edhe në të ardhmen e afërt, te mesme dhe te largët, dhe duke mbetur i tillë ne privatizojmë fitimin e garantuar ndërsa mbajmë Postën, rrjedhimisht humbjet. Telekomi i privatizuar pa asnjë garanci objektive për konkurrencë do të thotë një monopol i ri.