Pritet rritje ekonomike për vendet e zhvilluara
Paris, 11 prill - Sipas një raporti të ri, ekonomitë e zhvilluara të botës duket se do të shënojnë rritje më të madhe në muajt e ardhshëm.
Po ashtu, ekonomia e Kinës po shënon progres. Organizata e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik me qendër në Paris tha se treguesit e rritjes ekonomike në 34 vendet anëtare të organizatës rezultuan pozitivë për të katërtin muaj rresht.
OECD tha se Shtetet e Bashkuara, vendi me ekonominë më të madhe në botë dhe Japonia në vend të tretë, po shfaqin shenja bindëse përparimi.
Në raport thuhet se ekonomitë e këtyre vendeve e kanë marrë veten pas krizës ekonomike të viteve të fundit.
Po ashtu, OECD tha se Britania dhe Gjermania po përjetojnë një ndryshim të rëndësishëm pozitiv, ndërkohë që aktiviteti ekonomik i Italisë dhe Francës vazhdon të jetë i ngadaltë.
OECD tha se mes ekonomive të mëdha në zhvillim, në veçanti Kina është duke u fuqizuar dhe se Brazili dhe Rusia, po ashtu po përmirësohen.