Prishtina i njofton qytetarët për 1 Majin
Prishtinë, 29 prill - Komuna e Prishtinës i ka njoftuar të gjithë qytetarët, se me rastin e Festës së 1 Majit do të ndalohet qarkullimi i të gjitha automjeteve, përveç autobusëve të NKP Trafiku Urban, linja nr. 4, automjeteve të policisë, të KFOR-it, të EULEX-it, të ndërmarrjes Hortikultura dhe automjeteve emergjente në drejtim të Parkut të Gërmisë.
Sipas njoftimit të kësaj komune, linja nr. 5 e transportit publik do të punojë sipas itinerarit dhe orarit të rregullt deri në Sofali. Pika e fundit për lëvizjen e automjeteve, përveç banorëve të lagjeve: Normale, Sofalia, Taukbahçe dhe restoranteve Vila Gërmia, Freskia dhe Lira do të jetë: kryqëzimi i rrugëve: 1 Tetori, Nazim Gafurri dhe Ymer Lutfi Paqarizi , kryqëzimi i rrugëve: Nazim Gafurri, Xhavit Ahmeti dhe Dr. Lec Gradica dhe kryqëzimi i rrugëve: Dr. Shpëtim Robaj me atë të Sofalisë, në drejtim të pishinës dhe Parkut të Gërmisë, është thënë në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
Transporti publik i qytetarëve për në Parkun e Gërmisë, deri te pishina, sipas kësaj komune, do të bëhet ekskluzivisht me autobusë të NPK Trafiku Urban, linja nr. 4. Inspektorët përgjegjës të Drejtorisë së Inspeksionit, për datat e cekura, do ti parandalojnë shërbyesit e paautorizuar që ta bëjnë shitjen - shërbimin ndaj qytetarëve, organizojnë kujdestari, me qëllim të ruajtjes së ambientit (përdorimin e zjarreve për destinime të ndryshme), si dhe hedhjen e mbeturinave në vende të caktuara, është thënë në këtë njoftim.