Prishtina ankohet për mungesë buxheti, i teprojnë 17 milionë euro
Prishtinë, 21 shkurt - Afro 17 milionë euro ka rezultuar teprica e mjeteve që Komuna e Prishtinës nuk ka arritur ti investojë gjatë vitit 2011. Këto mjete janë bartur në buxhetin e këtij viti.
Ky është viti i tretë që Komuna e Prishtinës bartë mjetë nga vitit në vit. Udhëheqësit e Prishtinës vazhdimisht janë ankuar për pamjaftueshmëri të buxhetit për projekte të mëdha për kryeqytetin.
Kjo bartje nga zyrtarët komunal është interpretuar të hënën si dëshmi e respektimit të normave ligjore dhe praktikave të mira të menaxhimit.
Nuk bëhet fjalë për mjete të tepruara. Por për mjete të kontraktuara dhe të patransferuara në kontot përkatëse, ngase transferimi i mjeteve bëhet në bazë të disa raporteve vlerësuese nga puna në terren, ka thënë Muhamet Gashi zëdhënës i Komunës së Prishtinës, shkruan Koha ditore.
Sipas tij, nga rreth 17 milionë euro të bartura nga viti i kaluar, 9 milionë euro janë të kontraktuara vetëm për sheshet e kryeqytetit.