15 Nëntor 2024

Prezantohet strategjia Kombëtare për Zhvillim e Kosovës 2016-2021

Prishtinë, 15 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa,  dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, kanë bërë lansimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2016-2021.

Ky projekt është finalizuar përmes projektit të financuar nga BE-ja, “Mbështetje për politikat e Kosovës dhe planifikimin strategjik”, në vlerë prej 2.585.000 euro. Projekti ka përfshirë mbështetjen për përgatitjen e Programit të Reformave Ekonomike 2016-2018 dhe programet e IPA II. Strategjia Kombëtare për Zhvillim është e përqendruar në katër shtylla: kapitali njerëzor, sundimi i ligjit, infrastruktura dhe konkurrueshmëria.

Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, kryeministri Isa Mustafa, foli për rëndësinë e hartimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, e cila është aprovuar në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, më 22 janar të këtij viti.

“Strategjia është e destinuar për të mundësuar një zhvillim të qëndrueshëm, dhe është hartuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim dhe në përkrahje të plotë nga Zyra e Bashkimit Evropian”, tha kryeministri, duke falënderuar për mbështetje Zyrën e Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit e vendeve të BE-së të pranishëm në këtë ceremoninë.

Kryeministri Mustafa tha se esenca e kësaj Strategjie është që ajo e kapërcen mandatin e kësaj Qeverie duke përfshirë një periudhë kohore deri në vitin 2021.

“Ne me këtë Strategji kemi bërë të qarta orientimet tona, e kemi bërë të qartë po ashtu edhe pozicionin tonë se zhvillimi ekonomik, promovimi i punësimit dhe rritja e mirëqenies, do të jenë themeli i qeverisjes së mirë të vendit për këto katër vite të mandatit të kësaj Qeverie, dhe se të gjitha këto bazohen në iniciativën private, në konkurrencën e tregut të hapur, si forca kryesore që sigurojnë prosperitet ekonomik dhe sigurojnë zhvillim”, tha kryeministri Mustafa, duke prezantuar në detaje përmbajtjen e kësaj strategjie të rëndësishme për Kosovën.

Ndërkaq, lidhur me temat aktuale në vend, kryeministri Mustafa tha se temë më e rëndësishme politike për këtë vend se sa zhvillimi ekonomik, hapja e vendeve të reja të punës, ardhmëria e Kosovës në Bashkimin Evropian nuk ka.

“Vetë fakti që ne po punojmë fuqishëm në këto fusha, flet që ne fuqishëm jemi të përcaktuar që Qeveria ta bëjë punën e vet deri në fund të këtij mandati, dhe se institucionet e Republikës së Kosovës do të funksionojnë dhe të konstituohen sipas mandatit të Kushtetutës”, tha kryeministri Mustafa.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, njëherësh përfaqësues special i BE-së, Samuel Zhbogar, ka thënë se është i kënaqur që po e bashkëlanson Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, dokumenti i parë i këtij lloji në Kosovë, i mbështetur nga BE-ja, si një prej dokumenteve më të rëndësishme për Kosovën dhe udhërrëfyes për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës.

“Besoj se Kosova ka arritur në një fazë në të cilën është e aftë që të përballet me problemet e veta. Është e nevojshme që të gjitha palët e interesuara në Kosovë të bashkojnë forcat për të drejtuar Kosovën në një rrugë të zhvillimit më të fuqishëm ekonomik. Kjo është po ashtu e vetmja mënyrë për të tejkaluar krizën aktuale politike, pasi interesi kombëtar duhet të vihet mbi të gjitha interesat tjera. Instrumentet sikurse Strategjia Kombëtare për Zhvillim, Programi i Reformave Ekonomike dhe Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim, janë mjetet e duhura për të adresuar çështjet e Kosovës dhe për të ecur përpara”, tha Zhbogar.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se Strategjia Kombëtare për Zhvillim është një dokument i gjallë, i cili do të plotësohet gjatë procesit të implementimit. “Qëllimi i këtij dokumenti është orientues për Qeverinë në planifikimet e ardhshme buxhetore. Ne qysh tash po punojmë në kornizat afatmesme të shpenzimeve bazuar në këtë strategji. Ne presim që bizneset të marrin parasysh në planet e tyre afatgjate, orientimet e Qeverisë të dhëna në këtë Strategji. Presim nga partnerët zhvillimor që të marrin parasysh prioritetet që i ka vendosur Qeveria përmes kësaj strategjie, e po ashtu edhe bankat zhvillimore, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim,  Bankën Botërore, USAID-in dhe partnerët tjerë që na kanë mbështetur deri tash në rrugën e zhvillimit të Kosovës”, tha ministri Hoti, duke paralajmëruar tryeza tematike për fushat specifike të strategjisë.

Qemajl Marmullakaj, drejtor i Zyrës për Planifikim Strategjik në Zyrën e Kryeministrit, duke prezantuar Strategjinë Kombëtare për Zhvillim tha se ky është një dokument udhërrëfyes për planifikim të politikave dhe një dokument që Qeveria e Republikës së Kosovës e harton për herë të parë. “Strategjia Kombëtare për Zhvillim si proces ka filluar gjatë vitit 2014, duke bërë analizimin e dokumenteve strategjike në dispozicion që përfshijnë një mori dokumentesh nga institucionet qeveritare apo edhe mekanizmat ndërkombëtar, duke marrë parasysh edhe praktikat më të mira ndërkombëtare, të cilat kanë qenë të krahasueshme me Kosovën”, tha ndër të tjera Marmullakaj. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)