Prezantohet projekti kundër krimit ekonomik në Kosovë
Prishtinë, 11 qershor - Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë / Përfaqësuesi Special i BE-së dhe Këshilli i Evropës (KE) bashkë-organizuan një konferencë në kuadër të projektit të përbashkët të Bashkimit Evropian/Këshillit të Evropës kundër krimit ekonomik në Kosovë.
Ky projekt ka për qëllim fuqizimin e kapaciteteve të institucioneve kosovare në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, shpërlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit.
Konferenca prezantoi rezultatet e raporteve të vlerësimit lidhur me përputhshmërinë e Kosovës me standardet evropiane dhe ndërkombëtare në këto fusha.
Të dy raportet përveq vlerësimit kanë për qëllim fuqizimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e kornizës rregullative në fushat e luftimit të korrupsionit, shpërlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit në pajtim me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
Procesi i vlerësimit ndjek metodologji të njohura atë të GRECO dhe MONEYVAL, dhe përfshin rishikimin nga ana e ekspertëve të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, e përshtatur aty ku është e nevojshme, në mënyrë që të merren parasysh nevojat specifike të vendit.
Ky proces vlerësimi është bërë me mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë të agjencive vendore përkatëse (Agjencia kosovare kundër korrupsionit dhe Njësia e inteligjencës financiare), si dhe në bashkëpunim të gjerë me një sërë institucionesh përfituese në qeveri, kuvend, parti politike, agjenci kryesore ekzekutive dhe autoritete për zbatimin ligjit, gjyqësor, dhe sektorë financiarë.
Ky projekt përfshin dy cikle vlerësimi. Cikli i parë i përfunduar ka vlerësuar kornizën ekzistuese rregullative dhe institucionale, si dhe efikasitetin e masave, ka identifikuar rreziqet, mangësitë dhe ka ofruar rekomandime afat-shkurtëra dhe afat-gjata. Ky vlerësim do të pasojë me mbështetjen e autoriteteve kosovare për të siguruar implementim të qëndrueshëm të reformave të identifikuara si të nevojshme.
Cikli i dytë do të synojë sigurimin e implementimit të vazhdueshëm përmes përcjelljes së veprimeve të ndërmarra nga autoritetet në Kosovë. Të gjeturat e raporteve të vlerësimit do të paraqesin një pjesë të rëndësishme të agjendës së integrimit të Kosovës në BE, dhe rekomandimet e tyre do të ndihmojnë institucionet kosovare në arritjen e progresit të mëtejshëm në implementimin e reformave të nevojshme