Prezantohet platforma online "Si mbushet arka e shtetit"
Prishtinë, 21 maj - Instituti GAP dhe UNDP organizuan sot konferencën për media ku prezantuan platformën. Si mbushet arka e shtetit?.
Platforma "Si mbushet arka e shtetit?" është vazhdim i projektit të GAP për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies për paranë publike.
Pas suksesit të platformës për vizualizimin dhe raportimin e detajuar të shpenzimeve buxhetore, e cila brenda një viti është klikuar nga mbi 17.000 persona, me mbështetjen e UNDP Kosova dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim, në kuadër të projektit "Përkrahje Përpjekjeve Kundër Korrupsionit në Kosovë (SAEK), GAP ka zgjeruar platformën edhe me të dhëna se si mbushet buxheti i Kosovës.
Agron Demi nga GAP prezantoi platformën online të GAP, ku ndër të tjera theksoi se transparenca sa i përket buxhetit shtetëror nuk është në nivel të kënaqshëm si nga institucionet vendore por edhe ato lokale.
Ai kërkoi nga Ministria e Financave që ky projekt i GAP të përdoret edhe nga vet Ministria, në mënyrë që qytetarët të kenë qasje më të lehtë në marrje të informatave sa ai përket buxhetit të shtetit.
Platforma për të hyrat dhe shpenzimet e parasë publike tani më pasqyrohet edhe në uebfaqet e 23 komunave të Kosovës.
Platforma sipas Demit lejon mundësinë e informimit për kategoritë hyrëse të Buxhetit qendror të Kosovës, komunave, si dhe lejon mundësinë e krahasimit të komunave në bazë të kategorive të caktuara të të hyrave buxhetore.
Andrew Rusell nga UNDP informoi të pranishmit mbi rëndësinë e vetëdijesimit të qytetarëve mbi buxhetin shtetëror.
Ai ndër të tjera theksoi se qytetarët duhet të kuptojnë se si mbushet buxheti, nga shkojnë ato para dhe si mund ti krahasojmë.
Andaj, me anën të kësaj platforme GAP dhe UNDP dëshirojnë të ju ndihmojë qytetarëve që me lehtë të kuptojnë këtë proces. Për momentin kjo është e vetmja platformë e përdorshme dhe kërkoi nga mediet që të ju ndihmojnë qytetarëve që të i informojnë mbi këtë platformë online.
Rufki Suma (Komuna e Hanit të Elezit), prezantoi të arriturat e komunës së Hanit të Elezit sa i përket transparencës buxhetore të kësaj komune.
Komuna e Hanit të Elezit është njëra ndër komunat e vetme e cila sa i përket transparencës së parasë publike ka dëshmuar një shembull se si do të duhej që një institucion ti paraqes ato.