Prezantohen projektet "Open data" dhe Raporti i Ndotjes së Ajrit
Drejtori i Administratës Publike, Muhedin Nushi fillimisht shpalosi platformën online të hapjes së të dhënave ose open data, ku me anë të saj do të bëhet vizualizimi i të gjitha informacioneve të mbledhura nga drejtoritë komunale me qëllim që këto shënime të përdoren më tutje në funksion të transparencës së plotë në Komunë si dhe në funksion të zhvillimit lokal.
Në këtë platformë janë të përfshira gjithsej 17 kategori, duke përfshirë edhe punën e kryetarit të Komunës të Prishtinës, Shpend Ahmeti .
Platforma të tilla janë ekzistuese në Evropë dhe në shumë vende të tjera të botës, ka në çdo institucion, prandaj edhe Prishtina nga sot do të bëhet pjesë e një terminologji me të avancuar dhe e kapshme për të gjithë qytetarët e saj. Ky projekt nuk ka qenë kushtueshëm pasi të gjitha të dhënat dhe resurset kanë qenë të gatshme. , theksoi Muhedin Nushi.
Platformën online mund ta gjeni duke e klikuar në link:
https://kk.rks-gov.net/prishtina/Municipality/Departments/Administrates/Prishtina-Data.aspx
Drejtori i Administratës Publike, Muhedin Nushi gjithashtu prezantoi pilotimin e projektit për Matjen e Cilësisë së ajrit që ka për qëllim të mundësojë mbledhjen, azhurnimin dhe përpunimin e rezultateve të monitorimit automatik në kohë reale të cilësisë së ajrit, të informojë qytetarët mbi gjendjen momentale të cilësisë së ajrit përmes 10 parametrave matës si dhe të ofrojë vlerësim rreth masave që duhet të ndërmerren për të ngritur nivelin e cilësisë së ajrit.
Komuna e Prishtinës përmes këtij pilot projekti nuk pretendon në marrjen e rolit të MMPH ose të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, por vetëm pasqyrimin e cilësisë së ajrit me dëshirë që të ndikojë në vetëdijesimin e qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit, si dhe të ndikojë në përmirësimin e kualitetit të cilësisë të ajrit përmes masave (projekteve) konkrete të Komunës së Prishtinës në bashkëpunim me MMPH dhe Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit.
Interpretimi i të dhënave do të bëhet tri herë në ditë në sistemin online, ku si rrjedhojë nxirret mesatarja ditore e cila përfshinë matjet e mëngjesit, mesditës dhe mbrëmjes.
Fokusi kryesor është i përqendruar në këto tri objektiva:
1. Matjen e cilësisë së ajrit ne rrugë te ngarkuara
2. Matjen e cilësisë së ajrit brenda lagjeve
3. Lëvizja e ndotjes nga burimi në vende tjera
4.
Zgjedhja e lokacioneve është bërë duke ju referuar kritereve të lartcekura si dhe objektivave të projektit. Nga gjashte pajisje monitoruese, katër prej tyre janë vendosur në brendësi të lagjeve, ndërsa dy të tjera janë vendosur në rrugët e ngarkuara. Me këtë, supozohet të arrihet një rezultat i cili do të paraqes gjendjen e cilësisë së ajrit në rrugët kryesore dhe si ato mund të ndryshojnë në brendësi të lagjeve.
Gjithsej 6 (gjashtë) censorë për matjen e ndotjes së ajrit janë vendosur në këto lagje të Prishtinës:
1. Bregu i Diellit - Rr. Enver Maloku
2. Ulpiana - Rr. Mujë Krasniqi
3. Kodra e Trimave - Rr. Vëllazërit Fazliu
4. Dodona - Rr. Afrim Loxha
5. Dardania - Rr. Ilaz Kodra
6. Qendra - Sheshi Zahir Pajaziti
7.
Sipas të gjeturave të këtij raporti për muajin prill ka rezultuar që parametrat e ndotjes së ajrit në Prishtinë nuk i kanë tejkaluar vlerat e lejuara nga Bashkimi Evropian. Lagjja me cilësinë më të lartë të ajrit është Bregu i Diellit, ndërsa lagjja Dardania rezulton të ketë cilësinë më të dobët të ajrit në kryeqytet.