Prezantohen përparësitë dhe sfidat në zbatimin e pakos së re fiskale
Prishtinë, 2 shkurt - Kompania Deloitte, në bashkëpunim më Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, prezantuan përparësitë dhe sfidat në zbatimin e pakos së re fiskale, ku krahas panelit të përbërë nga stafi i Deloitte, Odës Ekonomike Amerikane dhe Administratës Tatimore të Kosovës, ishin prezent përfaqësues të bizneseve më të suksesshme të Kosovës.
Qëllimi i këtij prezantimi dhe diskutimi ishte përcjellja e informatave direkt të përfaqësuesit financiar të kompanive pjesëmarrëse në këtë organizim për çështjet kryesore që janë shfaqur prej kohës që kur ka hyrë në forcë pakoja e re fiskale.
Ekspertët e Deloitte në këtë ngjarje prezantuan disa aspekte kyçe të pakos fiskale, përfshirë këtu ndryshimet në legjislacionin mbi tatimin në të ardhurat e korporatave dhe tatimin mbi të ardhurat personale, si dhe implikimin e pakos në TVSH.
Prezantuesit fokusin e kanë vënë mbi temat si shpenzimet e borxheve të këqija, eliminimin e tatimit të dyfishtë, rimbursimin e TVSH-së, trajtimin e interesave në borxhe nga aspekti i TVSH-së, ngarkesa e kundërt te kompanitë ndërtimore, si dhe tema të tjera relevante për bizneset.
Afrore Rudi, drejtoreshë e departamentit të tatimeve dhe çështjeve ligjore në Kosovë, tha se ngjarja kishte për qëllim promovimin e komunikimit në mes kompanive konsulente si Deloitte, komunitetit të biznesit dhe autoriteteve tatimore në Kosovë.
Që nga hyrja e Deloitte në tregun Kosovar kemi tentuar të kontribuojmë në një legjislacion efektiv tatimor, duke u munduar të kontribuojmë në krijimin e një klime positive të të bërit biznesit në Kosovë.\"
\"Për këtë shkak, që nga fillimi jemi konsultuar për së afërmi më ATK-në dhe kemi kontribuar në finalizimin e aspekteve kyçe të pakos së re fiskale, si dhe kemi përcjellë për së afërmi implementimin e kësaj pakoje.\"
\"Shpresojmë së bizneset sot kanë përfituar nga përvoja dhe ekspertiza jonë, dhe këto informata do tju lehtësojnë punën e tyre në menaxhimin financiar të kompanive të tyre shtoi Rudi.
Prezantimet e ngjashme pritet të përsëritet nga ana e Deloitte, në bashkëpunim me institucionet relevante financiare dhe ekonomike në Kosovë, me qëllim të rritjes së ekspertizës dhe informimit së tërë komunitetit të biznesit në Kosovë për çështjet që janë relevante për operimin e bizneseve.