Presidentja Jahjaga shpenzon mijëra euro për mobile të reja

Prishtinë, 29 prill - E para e vendit Atifete Jahjaga nuk po ua vë veshin kërkesave për dorëheqje. Ajo veç sa po ia rregullon vetit kushtet në presidencë.
Në kabinetin e presidentes kanë vendosur të investojnë goxha para për tia bërë sa më komod Jahjagës qëndrimin.
Aty do të vendosen mobile të reja pavarësisht se presidentja zyrat e saj i kishte trashëguar me inventar të ri nga pararendësi i saj. Presidenca do të shpenzojë hiq më pak se 9.300 euro për furnizim me mobile, shkruan Tribuna.
Për këtë punë javën e kaluar është përzgjedhur kompania Murebest, derisa në këtë aktivitet të prokurimit kishin ofertuar tre Operator Ekonomik dhe vlera më e lartë e ofruar ishte 9.989 euro.
Këshilltar i Lartë Politik për Media dhe Marrëdhënie me Publikun, Arbër Vllahiu ka konfirmuar për Tribuna se mobiliet do të vendosen në presidencë.
Mobiliet do të vendosen në Kabinetin e Presidentes, që përfshin disa zyra, përfshirë pjesën e Protokollit, hapësirën për pritjen e mysafirëve, hapësirat e punës, kabinetet e stafit politik e hapësira të tjera, ka thënë ai.
Vllahiu këto blerje i ka arsyetuar me atë se asnjëherë gjatë mandatit të Presidentes nuk janë bërë blerje të tilla.