Presidentja Jahjaga në hapjen e Forumit Ekonomik Botëror
Panama City, 3 prill - Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga mori sot pjesë në hapjen zyrtare të punimeve të Forumit Ekonomik Botëror për Amerikën Latine, në të cilin po marrin pjesë një numër i madh i përfaqësuesve të vendeve të ndryshme, ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të bizneseve nga rajoni i Amerikës Qendrore dhe Jugore dhe nga e gjithë bota.
Presidentja Jahjaga përcolli edhe panelin me temën 'Hapja e rrugëve për progresin e përbashkët',' ku pjesëmarrës ishin Presidenti i Panamasë Rikardo Martinelli, Presidentja e Kostarikës znj. Laura Chinchilla Miranda, Presidenti i Guatemalës z. Otto Pérez Molina dhe kryeministrja e Trinidad dhe Tobago zonja Kamla Persad-Bissessar.
Presidentja Jahjaga ka takuar në kuadër të punimeve të Forumit Presidenten e Kostarikës znj. Chinchilla, presidentin Martinelli të Panamasë dhe presidentin e Guatemalës, z.Pérez Molina.
Presidentja Jahjaga në bisedë me Presidentin e Guatemalës, z. Pérez Molina, ka theksuar se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, i pranuar ndërkombëtarisht, me synime të qarta për anëtarësim në BE, NATO, OKB.
Ajo tha se vazhdimi i konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës është i rëndësishëm dhe njohja nga Guatemala do të ndihmonte jo vetëm Kosovën por edhe të gjithë rajonin e Ballkanit.
Presidenti i Guatemalës, z. Pérez Molina ka theksuar se vendi i tij po përcjell me vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe se do të shqyrtojë çështjen e njohjes së saj.
Presidentja Jahjaga gjatë ditës ka takuar edhe ministrin e mjedisit të Perusë z. Pulgar-Vidal Otalora, me të cilin bisedoi për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, posaçërisht në fushën e ekonomisë dhe të investimeve.
Duke e falënderuar ministrin për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Peruja, Presidentja Jahjaga tha se ndihma e Perusë për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës, posaçërisht në rajonin e Amerikës Qendrore dhe Jugore është me rëndësi të madhe.
Ministri Pulgar-Vidal Otalora shprehu gatishmërinë e tij dhe të qeverisë për të mbështetur Kosovën në procesin e konsolidimit të subjektivitetit ndërkombëtar, në anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe njëkohësisht e i bëri ftesë zyrtare Presidentes Jahjaga për ta vizituar vendin e tij.