Presidentja Jahjaga kërkoi ndihmën e mëtutjeshme të BERZH-it
Prishtinë, 23 tetor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim një delegacion të anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Presidentja Jahjaga vlerësoi bashkëpunimin e Kosovës me BERZH-in dhe kontributin e këtij institucioni në ofrimin e mbështetjes, këshillimit dhe financimit të zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe posaçërisht të zhvillimit të sektorit privat.
Presidentja Jahjaga dhe anëtarët e Bordit të Drejtorëve të BERZH-it diskutuan për të arriturat por edhe për sfidat ekonomike dhe zhvillimore të Kosovës.
Presidentja Jahjaga vlerësoi se duhet një riorientim i rritjes ekonomike drejt burimeve të qëndrueshme, si zhvillimi i kapitalit njerëzor, zhvillimi i sektorit privat dhe resurseve natyrore.
Presidentja Jahjaga kërkoi nga anëtarët e Bordit të Drejtorëve ndihmën e mëtutjeshme të BERZH-it në procesin e privatizimit, ndihmën në zhvillimin e sektorit privat, duke përmirësuar qasjen e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në financa, dhe krijim të kapaciteteve të reja dhe mbështetje të investimeve private në sektorin energjetik.