Presidenti i kërkon Bordit të BQK-së shkarkimin e Guvernatorit
Prishtinë, 26 korrik - Presidenti Sejdiu kërkon nga Bordi Drejtues i BQK-së që të ndërmarrë menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore për ta zgjidhur situatën e fundit të krijuar në BQK, pas arrestimit dhe paraburgimit të Guvernatorit Hashim Rexhepi, për të siguruar funksionimin adekuat të BQK-së.
Më poshtë po japim letrën e plotë të Presidentit Sejdiu dërguar kryetarit të Bordit Drejtues të BQK-së, z. Gazmend Luboteni:
Prof. Dr. Gazmend Luboteni
Kryetar i Bordit Drejtues të BQK-së
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës
Rruga e Garibaldit nr. 33
10000 Prishtinë
Republika e Kosovës
I nderuar Kryetar Luboteni:
Duke pasur parasysh rëndësinë që Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) luan në ekonominë dhe stabilitetitn financiaro-bankar të vendit, ngjarjet e ditëve të fundit përkitazi me arrestimin dhe paraburgimin e Guvernatorit Hashim Rexhepi janë mëse shqetësuese për institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës.
Prandaj në rrethanat e krijuara, kërkoj nga Bordi Drejtues i BQK-së të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore për të zgjidhur këtë situatë dhe për të siguruar funksionimin adekuat të BQK-së.
Siç edhe jeni në kuptim të plotë të urgjencës së kësaj çështjeje, mirëpres veprimin tuaj të menjëhershëm.
Sinqerisht,
Dr. Fatmir Sejdiu
President i Republikës së Kosovës