Prej një vajze refugjate, menaxhere e fondit 10 milionë dollarve
Zurich, 31 korrik - Miranda Ademaj është një vajzë e lindur në Shtime të Kosovës dhe e rritur jashtë vendit që nga viti 1994, kur bashkë me familjen iku ilegalisht në Gjermani.
Miranda tregon në një intervistë për albinfo.ch se kishte shumë vështirësi në integrimin e saj si një kosovare me kulturën e re në Gjermani. Ishte vetëm 10 vjeçe kur filloi jetën nga e para në një vend të huaj.
Ajo e flet rrjedhshëm shqipen, ngase e kishte ruajtur gjuhën nga katër vjetët e shkollës fillore që i kishte kryer në Kosovë.
Miranda ishte rritur në Gjermani deri në moshën 20-vjeçare. Për arsye se gjendja ekonomike në Gjermani filloi të përkeqësohej, në vitin 2006 ajo vendosi të jetojë në Zürich të Zvicrës, ku dhe studioi ekonominë.
Për pesë vjet me radhë ajo ka punuar në institucionet më të rëndësishme helvetike: BrunnerInvest AG, Sallfort Privatbank dhe Credit Suisse.
Ndërmjet tri kulturave Kosovë-Gjermani-Zvicër, Miranda kishte edhe një dëshirë, ta shëtitë botën. Ajo ka udhëtuar për 1 vit në katër kontinente të botës vetëm me një çantë shpine, si në Amerikë, Azi, Australi dhe Evropë. Më së shumti kishte kaluar kohën në Australi, ku edhe kishte punuar për disa javë me një fabrikë bananesh Bananafarm në Outback të Australisë. Ajo kishte përfituar shumë nga kjo eksperiencë, duke zgjeruar horizontin e saj.
Miranda tash ka mendim tjetër për kulturën shqiptare.
Kultura të cilës i takoj kufizon sidomos femrën me aspektet tradicionale dhe familjare më shumë se të tjerat kultura në Evropë. Ky është një aspekt i cili sigurisht vështirëson rrugën e arritjeve të tyre në jetë, tha Miranda.
Pas kësaj aventure rreth botës, ajo u kthye në Zürich dhe filloi të punojë në një fond të pionierëve BrunnerInvest AG, ku ka takuar shumë njerëz të zgjuar dhe të arsimuar, të cilët e kuptuan botën e Mirandës.
Një ditë më erdhi ideja që të themeloj kompaninë time Skënderbeg Alternative Investments AG me punëdhënësit e mëparshëm. Bashkëpunova me dy kolegë të mi, sepse së bashku bëjmë një ekip të shkëlqyeshëm. Tani, unë jam themeluese dhe Cief Executive Officer e Skënderbeg Alternative Investments AG, kandidate për Chartered Alternative Investment Analyst dhe anëtare e 100 Woman in Hedge Funds, zvicerani Bruno J. Schneller, Cief Investment Officer, ka magjistruar në HSG dhe gjermani Thomas Fliegner, Cief Risk Manager, ishte edhe profesor matematike në Cambridge dhe Bath. Filozofia dhe strategjia e investimeve është autentike nga Miranda. Ngase ajo kishte përfituar nga eksperiencat e krizës ekonomike të 2008-ës dhe nga kompania e mëparshme që kishte operuar me një boshllëk.
Sa i përket vështirësive të biznesit, Miranda ka thënë se natyrisht që duhet të përpiqesh si një e huaj më shumë për të arritur, sidomos në biznesin e Hedge Funds që është sfidë e madhe, për faktin se është i dominuar nga meshkujt.
Është vështirë të gjesh femra në këto lloj pozita si jam unë në këtë industri, pohon Miranda.
Këmbëngulësia në bindjen se edhe femrat mund tia dalin si meshkujt i kishte dhënë Mirandës guximin të mbërrijë objektivat që i kishte para vetes.
Megjithatë ajo shprehet të jetë krenare që është shqiptare nga Kosova dhe për këtë ka insistuar ta emërtojë fondin me emrin e heroit kombëtar Skenderbeu.
Miranda nuk ka fshehur kurrë identitetin se është shqiptare nga Kosova.
Ku shkoj nëpër botë na presin mirë dhe janë mësuar me emrin Skënderbeg, ngase shumica kanë lexuar për historinë e lavdishme të heroit tonë kombëtar, thekson themeluesja dhe CEO e Skënderbeg Alternative Investments AG.
Fondi Skënderbeg Alternative Investments AG operon me 10 milionë dollarë më 1 shkurt 2014, që është edhe përjashtim, ngase në këtë segment startohet zakonisht me 2-5 milionë.
Fondi Skënderbeg garanton investitorët për një qasjse neutrale ndaj tregut të investimeve, tha Miranda.
Ky fond specializohet në kapitalin e strategjive të long/short equity dhe iu ofron investitorëve qasje të jashtëzakonshme në fondet mbrojtëse në shkallë globale.
Emri i kësaj kompanie lidhet me misionin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke u bazuar në atributet si pavarësi, përkushtim dhe superioritet. Ne jemi të përkushtuar dhe të pasionuar në targetin tonë ashtu si Skënderbeu, ka thënë ajo.
Miranda në të njëjtën kohë po luan rolin edhe të një promotoreje të Kosovës në takime dhe kontakte të ndryshme me investitorët e huaj.
Ajo thotë se ka për synim që me hapa të vegjël të mbërrijë deri te suksesi.
Miranda ka prezentuar së fundi në Tiranë në TED që është një format konferencash që ka përshkuar gjithë globin, nga Seuli në Buenos Aires, nga Londra në Podgoricë, nga San Diego në Tel Aviv.
Ekonomistja kosovare thotë se nuk do të ndalet me kaq dhe ka për objektiv të shkruajë libër për jetën e saj.
Miranda duke kaluar këtë gërshetim kulturash ndërmjet Kosovës-Gjermanisë dhe Zvicrës, si një financiere globale sigurisht do të shërbejë si një inspirim për shumë femra të botës, të cilat kanë frikë t\'i ndjekin ëndrrat e tyre.(ALBINFO)