Precedenti që mund ta bankrotojë Kosovën
Prishtinë, 19 mars - Ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave dhe të Çelikut edhe të martën kanë marrë premtimin nga kryeministri, se do ti marrin mbi 25 milionë euro si kompensim për largimin e tyre nga puna, në fillim të vitit 1990.
Edhe gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale 2013, kryeministri Thaçi ka premtuar se Qeveria do tua paguajë borxhin 912 ish-punonjësve të Fabrikës së Tubave dhe të Çelikut (IKM) nga Ferizaj.
Por, nuk ka marrë ndonjë veprim ai, përderisa disa nga ish-punëtorët hynë në grevë së fundmi para ndërtesës së Qeverisë, shkruan Koha Ditore.
Pas kësaj, kryeministri i ka rekomanduar Kuvendit që të mbajë një seancë të jashtëzakonshme, nga e cila do të gjendeshin modalitetet për tua shlyer ish-punëtorëve borxhin që e pretendojnë, por deri tash Legjislativi i është përgjigjur negativisht
Një burim në AKP i ka thënë gazetës se kushdo që ta marrë vendimin do të mbahet penalisht përgjegjës.
Po kështu ka rikujtuar se nëse ky precedent krijohet, u jep të drejtë të gjithë punëtorëve që ishin larguar dhunshëm nga puna ta realizojnë kompensimin. E kjo, sipas tij, do ta çonte në bankrot Kosovën.
/Koha Ditore/