PPP-ja duhet të ofrojë kushte të mira për bizneset
Prishtinë, 13 mars - Me ftesë të Ministrit të Financave Avdullah Hoti, sot u mbajt takimi i Komitetit për Partneritet Publiko Privat (PPP).
Ministri i Financave para anëtarëve të komitetit theksoi se takimi i sotëm ka të bëjë me prezantimin nga Sekretariati i PP-së të projekteve të cilat janë duke u implementuar si dhe atyre të cilat presin që në një të ardhme të afërt të implementohen duke u bazuar në Ligjin për PPP, prandaj edhe takimet e rregullta të këtij komiteti janë të një rëndësie të veçantë.
Gjatë takimit nga Njësia për PPP u prezantuan projekte të rëndësishme të nivelit qendror dhe atij lokal të cilat kanë të bëjnë me PPP. Për projektet e prezantuara u theksua se mundësojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe ofrimin e shërbimeve më të mira dhe efikase për qytetarët e Kosovës dhe se me këto projekte mundësohet edhe kursimi i buxheti të shtetit.
Ministri Hoti theksoi se edhe me Programin e Qeverisë avancimi i Partneritetit Publiko Privat është prioritet dhe i domosdoshëm si për nivelin qendror ashtu edhe për atë lokal dhe se ne duhet të ofrojmë kushte të mira për bizneset të cilat shprehin gatishmërinë për të investuar në pajtim me ligjet dhe Programin Zhvillimor të Qeverisë së Kosovës.
Në takim prezentë ishin anëtarët e Komitetit për Partneritet Publiko Privat të emëruar nga Qeveria e Kosovës.