Portugalia kërkon ndihma financiare nga BE
Lisbonë, 7 prill - Portugalia e zhytur në borxhe kërkoi tani nga Bashkimi Evropian ndihma financiare por në nivel ende të panjohur miliardash. Kryeministri në detyrë José Sócrates tha në televizion se ky vendim ishte i "pashmangshëm".
Gjendja financiare e vendit është "përkeqësuar në mënyrë dramatike" pas hedhjes poshtë nga opozita më 23 mars të paketës më të fundit të kursimeve të ofruar nga qeveria e pakicës.
Presidenti i komisionit të BE-së José Manuel Barroso e siguroi vendin për marrjen e ndihmave sa më shpejt. Pas Greqisë dhe Irlandës, Portugalia është vendi i tretë që varet nga ndihmat financiare të BE-së.
Për ndihmat BE kërkon si kusht nga këto vende të përfshira nga kriza financiare një program të ashpër kursimi. Të dhëna mbi volumin e mundshëm të ndihmës financiare ende nuk ka.
Para gati dy javësh shefi i grupit të zonës-euro Jean-Claude Juncker në një intervistë pati thënë se llogarit për Portugalinë një shumë prej 75 miliardë euro, në rast se Lisbonës do ti aplikohet mbështetje financiare.
Socrates kishte dhënë dorëheqjen nga posti si kryeministër më 23 mars pas refuzimit të paketës së tij të kursimit.