19 Maj 2024

Politikat makroekonomike dhe financiare në rrugë të duhur

Prishtinë, 11 qershor - Ministri i Financave, Bedri Hamza dhe udhëheqësi i misionit të FMN-së, Johannes Wiegand,  kanë mbajtur konferencë për media me rastin e përfundimit të vizitës së misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë.

Misioni i FMN-së në Kosovë ka qëndruar nga 31 maj deri më 11 qershor, ku kanë diskutuar me autoritetet kosovare në lidhje me shqyrtimin e parë të Stand-By Aranzhmanit.

Ministri Bedri Hamza, duke njoftuar në lidhje me  procesin e shqyrtimit të parë të Stand-By Aranzhmanit, ka thënë se “Kemi pasur një bashkëpunim dhe mirëkuptim shumë korrekt me misionin, dhe si rezultat i kësaj është arritur marrëveshja në mes institucioneve të Qeverisë dhe stafit të Misionit për pakon e politikave e cila ka për qëllim përfundimin e shqyrtimit të parë të Marrëveshjes Stand- By”.

“Si rezultat i kësaj presim që të përmbyllim Letrën e Qëllimit në mënyrë që të plotësohet procedura që Bordi Ekzekutiv i FMN-së në korrik të aprovojë shqyrtimin e parë të Marrëveshjes. Përfundimi i këtij shqyrtimi siç dihet do t’i mundësojë Kosovës tërheqjen e pjesës tjetër të mjeteve financiare prej FMN-së (shuma prej 39.1 milionë SDR)”, tha ministri Hamza.

Ai më tej ka shtuar se “ Me këtë rast mund të konstatoj se pas përfundimit të këtij shqyrtimi ekziston një pajtueshmëri e plotë me misionin e FMN-së, se si Qeveri jemi duke i përmbushur të gjitha kushtet dhe kriteret e parapara me Marrëveshje, qofshin ato makroekonomike dhe financiare”.

Ministri Hamza gjithashtu ka thënë se “ është vlerësuar pozitivisht edhe puna në drejtim të përmbushjes së kritereve strukturore . Sa i përket gjendjes ekonomike në vend mund t’ju  them se edhe përkundër situatës së rënduar në disa vende të Bashkimit Evropian, Kosova është duke treguar një stabilitet dhe qëndrueshmëri. Sistemi bankar është mirë i kapitalizuar dhe me shkallë shumë të mirë likuiditeti. Sidoqoftë, ne jemi duke treguar kujdes në përcjelljen e gjendjes dhe vlerësimin real të situatës”.

“Stabiliteti makro-fiskal është prioritet shumë i lartë i Qeverisë dhe kjo reflektohet në të gjitha dokumentet tona strategjike, mirëpo edhe në hartimin dhe zbatimin e politikave të Qeverisë. Në këtë drejtim Ministria e Financave është dhe vazhdon të mbetet e përkushtuar në zbatimin e disiplinës fiskale si dhe në mbikëqyrjen financiare si elemente të rëndësishme të zhvillimit ekonomik”, ka shtuar ministri Hamza. 

Ndërsa, Johannes Wiegand, ka thënë se misioni ka arritur marrëveshje në nivel të stafit me autoritetet, për një pako të politikave që synon të mundësoj kompletimin e shqyrtimit të parë të SBA-së.

 “Ne presim të finalizojmë Letrën e qëllimit e cila e përmbledh këtë marrëveshje, për t’i mundësuar Bordit Ekzekutiv të FMN-së që të marrë në konsideratë kompletimin e shqyrtimit të dytë të marrëveshjes në muajin korrik. Kompletimi i këtij shqyrtimi do t’i mundësoj Kosovës tërheqjen e shumës prej SDR 39.108 milionë euro (rreth 46 milionë €), ka thënë z. Wiegand.

Ai më tej ka shtuar se “Politikat makroekonomike dhe financiare në Kosovë janë në rrugë të duhur. Caqet kuantitative për muajin e fundit prill në lidhje me bilancin bankar të qeverisë së përgjithshme, bilancin primar, shpenzimet primare, kontraktimin neto dhe garantimin e borxhit  jo-koncesionar, dhe për mos-alokim të borxheve lidhur me pagesat e jashtme janë përmbushur.

Shumica e kritereve strukturore janë përmbushur gjithashtu, ndonëse në një rast (Ligji për pensionet e FSK-së) kriteri strukturor i vazhdueshëm për përfshirje të një klauzole standarde që mundëson kontrollimin e kostos në të gjitha ligjet e reja që krijojnë beneficione nuk është respektuar.

"Masa korrigjuese po ndërmerren në këtë drejtim. Kriteri strukturor i fundit të majit lidhur me dorëzimin në Kuvend të Ligjit të rishikuar për sigurim të depozitave pritet të përmbushet me një vonesë të vogël”.
 
Në këtë konferencë për media kanë marrë pjesë edhe Shefi  i Zyrës së FMN-së në Kosovë,  Jose Sulemane dhe guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Gani Gërguri.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)