Politikat fiskale do të mundësojnë fuqizimin e sektorit privat
Ky konkluzion doli nga takimi i sotëm i Ministrit të Financave Avdullah Hoti me anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, shprehu gatishmërinë e anëtarëve të kësaj organizate për dialog konstruktiv me Ministrinë e Financave dhe me Qeverinë e vendit në përgjithësi për çështjet që afektojnë bizneset dhe mjedisin e të bërit biznes.
Zeka tha se beson se Ministria e Financave do të vazhdojë të shtyjë përpara disa prej iniciativave të nisura më parë për lehtësira fiskale për investimet e reja.
Në anën tjetër, Ministri Hoti theksoi rëndësinë që ka fuqizimi i mëtejmë i dialogut ndërmjet komunitetit të biznesit dhe institucioneve për hartimin e politikave dhe ligjeve të cilat lehtësojnë mjedisin afarist.
Në këtë kontekst ai shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Financave që të bashkëpunojë dhe të marrë në konsideratë rekomandimet direkte të bizneseve, si në çështjet e lehtësirave fiskale e deri te ndryshimet e ligjeve të ndryshme.
Në mesin e përpjekjeve momentale të Ministrisë që ai drejton, Ministri Hoti përmendi diskutimet për uljen e pragut të TVSH-së, shtimin e përpjekjeve për luftimin e ekonomisë joformale, analizimin e mëtejmë të propozimit për pushime tatimore, lehtësirat e tjera fiskale të cilat do të mundësonin pozitë të barabartë konkurruese midis prodhuesve të industrive të caktuara dhe produkteve të importuara.
Ai tha se Qeveria do të konsiderojë zgjerimin e listës së produkteve të liruara nga detyrimet doganore, më konkretisht të lëndëve të para të cilat nuk prodhohen në Kosovë.
Pavarësisht presionit për mbledhjen e më shumë të hyrave buxhetore, Ministri Hoti tha se është synim i Qeverisë së vendit që të mos ketë rritje të normave tatimore dhe se secili ndryshim i mundshëm, posaçërisht i normave të akcizave do të diskutohet paraprakisht me komunitetin e biznesit.
Më tej ai shtoi, se Ministria e Financave dhe të gjithë dikasteret e tjera qeveritare do të kenë vëmendje të posaçme për investitorët e huaj.
Duke u përgjigjur në çështjet e ngritura nga bizneset për rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, Ministri Hoti premtoi rritjen e efikasitetit të këtij institucioni, duke shtuar se pjesë e këtyre përpjekjeve është edhe bashkimi i Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës në një organizatë të vetme, përmes një procesi gradual.
Edhe pse nuk është në fushëveprimin e Ministrisë që ai drejton, Ministri Hoti u përgjigj edhe në çështjet e shumta të adresuara lidhur me detyrimet që burojnë nga zbatimi i marrëveshjes kolektive, duke shtuar se Qeveria e vendit nuk e sheh me interes rëndimin e barrës mbi sektorin privat dhe se lidhur me këtë çështje do të ketë diskutim gjithëpërfshirës.