Politikanët tanë mbushin bankat e huaja me para të pista
Prishtinë, 6 korrik - Nuk ka dyshim se pushtetarët e Kosovës bashkë me klanet e tyre dhe grupet e interesit paratë e pista që i marrin në Kosovë i largojnë nga vendi, duke i dërguar në banka në ato vende ku nuk kërkohet prejardhja e tyre e po kështu edhe në investime jashtë vendit.
Në këtë mënyrë i shkaktohet dëm i dyfishtë shtetit, njëherë duke vjedhur pasurinë e shtetit e herën tjetër pasi i largojnë nga vendi dhe bëjnë investime në vende të tjera, ku e kanë më lehtë t\'i fshehin paratë.
Analistë ekonomie e deputetë opozitarë janë të mendimit se lajmet e tilla nuk përbëjnë më ndonjë sensacion, shkruan gazeta Kosova Sot.
Kjo sepse, sipas tyre, pasuritë marramendëse të shumë pushtetarëve tanë sot ose \"flenë\" në banka të jashtme ose në formë investimesh të ndryshme, në prona, banesa e shtëpi.
Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Bali Muharremaj (AAK), thotë se sikur ato para të ishin fituar ndershëm, si kapital i punës me ndershmëri, do të duhej të ishin dhe të qarkullonin nëpër bankat tona, do të duhej të diheshin mbulesat se si janë fituar ato, a janë paguar edhe tatimet në bazë të ligjit etj.
\"Prandaj të gjitha këto dyshime mbeten të tilla, të mbuluara me mjaft mistere\", u shpreh ai.
Muharremaj thotë se nuk ka besim as në gjyqësorin që do ta bëjë punën e vet, aq më parë kur aktualisht është në kolaps dhe dihet që shumë lëndë dhe raste të bizneseve të ndryshme, të cilat është dashur të paguajnë shumë para për shtetin, janë raste që janë parashkruar dhe nuk janë zgjidhur, e kjo nuk ka ndodhur rastësisht.
\"Kjo ka shkuar në dëmin e shtetit e në favorin e bizneseve të lidhura me politikën dhe që kanë monopolin e tyre në treg, në lidhje me qeveritarë e caktuar. Për ta fituar paranë ndershëm është një mundim i madh dhe nuk është aq e lehtë për t\'u bërë i pasur dhe zhvilluar në kapital aq të madh\", thotë Muharremaj.
Pastrimi i parave përmes estradës
Eksperti i fushës së doganave dhe shpedicionit, Lutfi Rexhepi, thotë për \"Kosova Sot\" se deri më sot ka pasur vetëm retorikë dhe demagogji të llojllojshme politike për luftimin e korrupsionit nga agjencitë e ngritura nga ana e qeveritarëve dhe \"Task Forca\", si dhe \"Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit\" i ish-presidentes nga zarfi, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Sipas tij, pasuria e paligjshme e këtyre pushtetarëve nuk është hetuar, të cilët e zhvatën pasurinë e shtetit e një pjesë e dërguan jashtë.
\"Puna e prokurorisë për hetimin dhe zbardhjen e \"pastrimit\" të parave të pista të politikës dhe parapolitikës, përmes një pjese të estradës kosovare, duhet të fillojë nga periudha e pasluftës, e në veçanti pas 17 shkurtit 2008, ku numër i madh i zyrtarëve të lartë të shtetit dyshohet se kanë dërguar pasuri (para) të kundërligjshme jashtë vendit, në Zvicër, në Dubai etj.\", shprehet Rexhepi.
Ai shprehet se opinioni kosovar në kujtesën e vet mban mirë mend rastin e para disa viteve, të ndalimit të një ylli të estradës kosovare në Aeroportin e Prishtinës me shuma të mëdha parash..., mirëpo pas ndërhyrjes së politikës të njëjtit i lejohet vazhdimi tutje drejt Zvicrës, bashkë me paratë pa mbulesë ligjore!
\"Mbase do të ishte e logjikshme që ylli i muzikës të kishte me vete shuma të mëdha parash me rastin e kthimit nga Zvicra, por jo edhe të shkuarjes andej\", është shprehur ai.
/Kosova Sot/