Politikanët fitojnë miliona euro gjatë pakë viteve
Prishtinë, 2 janar - Miliona euro pasuri kanë fituar politikanët kosovarë gjatë pakë viteve, raportojnë zyrtarët e lartë në Agjencinë Kundër Korrupsion.
Pasuria e politikanëve kosovarë arrin në miliona euro ndërmjet asaj që zyrtarët kanë deklaruar nga viti 2007, dhe atyre që kanë deklaruar në fund të vitit që lamë pas.
Në krye të listës së pasanikëve të politikës, qëndron lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, i cili njëherësh është edhe zëvendëskryeministër, me 176 milionë euro pasuri, pastaj deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramiz Kelmendi, dhe njëherësh pronar i zinxhirit të hipermarketeve ETC me 56 milionë euro pasuri, deputeti i LDK-së, Hashim Deshishku, me 13 milionë euro pasuri, deputeti i Vetëvendosjes, Florin Krasniqi, me pasuri të vlerësuar rreth 10 milionë euro.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka vetëdeklaruar se ka në pronësi tokë për ndërtimin e shtëpisë e cila ka vlerë prej 157 mijë euro, shtëpi në ndërtim në vlere prej 220 mijë euro, 180 mijë euro tokë bujqësore, 80 mijë euro shtëpi, 13 mijë euro veturë si dhe 22 mijë euro para të gatshme në bankë. /Zeri/