16 Nëntor 2024

Policia zotohet për bashkëpunim më të avancuar me bizneset

Prishtinë, 23 qershor - Bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës në nivel lokal dhe qendror me sektorin privat hap rrugën drejt një ambienti më të mirë dhe më të sigurtë të të bërit biznes në vend.

Kjo u tha sot në një tryezë të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ku bizneset e pranishme patën rastin të diskutojnë mbi bashkëpunimin e deritanishëm me këtë institucion si dhe mbi mundësitë e thellimit të këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

Në hapje të tryezës, Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, tha se në kuadër të përpjekjeve të Odës Amerikane për të çuar dialogun midis sektorit privat dhe publik në një nivel të ri dhe më të avancuar, bashkëpunimi dhe komunikimi i vazhdueshëm me Policinë e Kosovës ka një rëndësi të veçantë.

Për më shumë, Zeka theksoi raste të ndryshme në shtete perëndimore, e veçanërisht në Shtete të Bashkuara të Amerikës, ku bizneset dhe institucionet kyçe të sigurisë publike e kanë të strukturuar dialogun e vazhdueshëm përmes këshilleve të ndryshme, me qëllim të kontribuimit drejt një ambienti më të sigurtë për të bërë biznes, dhe për komunitetin në përgjithësi.

Drejtori i Përgjithshëm i Policise Shpend Maxhuni, duke mirëpritur idenë e mbajtjes së një takimi të tillë, sqaroi strukturën organizative të Policisë së Kosovës dhe mënyrën se si kjo strukturë i vihet në shërbim qytetarëve të vendit dhe bizneseve.

Ai theksoi se mirëpret një dialog më të rregullt dhe më konstruktiv me komunitetin e biznesit si një pjesë kyçe e shoqërisë kosovare. Në këtë drejtim, Maxhuni elaboroi mbi funksionimin e këshillave ekzistues që funksionojnë nëpër komuna që kanë për rol diskutimin e çështjeve të ndryshme mbi sigurinë publike.

Sa i përket mbrojtjes nga sulmet kibernetike, ai sqaroi edhe funskionimin e Drejtorisë së Kibernetikës në kuadër të Policisë së Kosovës, duke potencuar sukseset e konsiderueshme të kësaj drejtorie përkundër kapaciteteve të limituara.

Në vijim, bizneset patën rastin të diskutojnë mbi probleme ditore me të cilat ballafaqohen sa i përket këtij institucioni, e në veçanti mbi problemet që dalin nga mungesa e vendeve për ndalje të automjeteve për shitje ambulantive.

Maxhuni sqaroi se për zgjidhjen e këtij dhe sfidave tjera të kësaj natyre të bizneseve duhet një diskutim i mirëfilltë me komunat dhe një bashkërendim i veprimeve në nivel ndërinstitucional. Në pëmbyllje, ai u zotua në marrjen e hapave konkret për ndjekjen e rekomandimeve dhe adresimin e sfidave që u ngritën nga ana e bizneseve gjatë tryezës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)