Policia ndihmon në shpërndarjen e ndihmave fshatrave te Podujevës
Prishtinë, 14 shkurt - Sot rreth orës 12:00 zyrtarë policor nga policia kufitare në vazhdën e vizitave, banorëve të zonave të bllokuara nga bora, ka vizituar disa fshatra te thella në komunën e Podujevës.
Gjatë vizitës ata kanë vërejtur se disa familje kanë pas nevojë për gjëra ushqimore, higjienike dhe shërbime të tjera.
Me të parë situatën në terren njësia për komunitet e policisë së Kosovës në stacionin policor të Podujevës, ka njoftuar autoritetet komunale të kësaj komune.
Autoritetet komunale të përkrahur nga policia me pajisje policore të policisë kufitare si Motor-Ski kanë dërguar gjëra ushqimore dhe higjienike në shtatë fshatra të komunës së Podujevës, Metergovc, Kokorovicë, Sylevicë, Murgull, Tashevc, Tërnavicë dhe Zhiti.
Banorët e këtyre zonave të thella janë ndihmuar me artikuj ushqimor dhe higjienik si: miell, sheqer, kripë, vaj dhe produkte higjienike.
Policia ka arritur të komunikoj edhe me banorët e fshatit Marincë dhe sipas bisedës që është zhvilluar banorët e këtij fshati janë mirë, vetëm se ka vështirësi të theksuara të qarkullimit.
Përpos kontakteve fizike të vazhdueshme me banorët e këtyre zonave njësia për komunitet është në vazhdimësi në komunikim edhe përmes linjave telefonike dhe shqetësimet e tyre po i bart tek autoritetet përgjegjëse.