Podujeva, Kamenica, Obiliqi, Shtimja dhe Fushë Kosova me shkelje në prokurim
Prishtinë, 26 mars - Demokracia Plus ka publikuar raportin e monitorimit të aktiviteteve të prokurimit i cili përshin 10 tenderë në 5 komuna, atë të Shtimes, Podujevës, Kamenicës, Obiliqit dhe Fushë Kosovës.
Për secilën komunë janë monitoruar nga dy tenderë, duke filluar nga inicimi i aktivitetit të prokurimit e deri në zbatimin e kontratës.
Disa prej gjetjeve nga ky monitorim i D+ janë të përbashkëta për këto pesë komuna, njëkohësisht janë evidentuar edhe shkelje të cilat janë karakteristikë e vetëm një komune. Ndër të gjeturat kryesore janë:
• Mosplanifikimi i saktë i vlerës së parashikuar të tenderit, ku komuna e Kamenicës ka paguar çmim shumë të lartë për një metër kub dru, krahasuar me kontratën e vitit paraprak dhe atë të Komunës së Obiliqit.
Si pasojë e vlerës së parashikuar që ishte shumë e lartë, komuna u ka mundësuar operatorëve ekonomikë të ofertojnë me çmime të larta, e rrjedhimisht edhe çmimi në kontratë është i lartë.
Komuna e Fushë Kosovës gjithashtu nuk ka parashikuar saktë se sa kushton në treg një Golf VI i përdorur. E njëjta, për një veturë të tillë, e cila në treg kushton prej 9,000 deri në 10,000 euro, ka paguar 12,975 euro.
• Dallimet ndërmjet titullit të tenderit dhe punëve të parapara në paramasë. Një tender i komunës së Shtimes ka titullin “Riparimi i urave dhe shtratit të lumit”, megjithatë para masa përmban vetëm elemente për rregullimin e urave.
• Sa i përket specifikave teknike të produkteve të kontraktuara, nuk përputhen me ato që kërkohen në dosje të tenderit. Në komunën e Shtimes janë kërkuar kamera që incizojnë video dhe audio, megjithatë kamerat që janë montuar mund të incizojnë vetëm video.
• Problemet në llogaritje të shpenzimeve për tenderët e sigurimit fizik. Komuna e Obiliqit nuk ka kalkuluar siç duhet shpenzimet që do të kishte një operator ekonomik për të gjitha obligimet që dalin nga Ligji i Punës siç janë: pagesat për kontributin pensional, orët shtesë, pushimin vjetor, etj. Si rezultat, komuna ka lidhur kontratë me të cilin çmim nuk i mbulon të gjitha shpenzimet.
• Kërkesat e paqarta në kriteret e dosjes së tenderit. Në disa komuna ka kritere që janë të paqarta dhe nuk janë të definuara saktë. Këtu përfshihen kërkesat për mjete të transportit pa specifikuar peshën e tyre, kërkesa për hapësirë të ruajtjes së druve pa specifikuar sipërfaqen e saj etj.