23 Dhjetor 2024

Planifikimi hapësinor në Kosovë me sfida të shumta

Prishtinë, 10 nëntor - Debati i organizuar nga EC Ma Ndryshe, në të cilin është bërë prezantimi i hulumtimit “Reforma ligjore e planifikimit hapësinor të Kosovës në qorrsokak?!” ka vënë në pah sfidat e shumta sa i përket legjislacionit dhe funksionimit të mekanizmave të planifikimit hapësinor.

Në panelin diskutues ishin Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, znj. Albena Reshitaj, anëtare e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor nga radhët e AAK-së, Sazan Ibrahimi, drejtor Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, z. Shkëlqim Daci, arkitekt dhe planer dhe znj. Flaka Xërxa Beqiri.

Fillimisht, znj. Lumnije Gashi Shabani, autore e hulumtimit ka prezantuar gjetjet dhe rekomandimet e hulumtimit. Qëllimi kryesor i hulumtimit është përpjekja për të adresuar dhe menaxhuar sfidat e zhvillimit hapësinor, gjatë periudhës së viteve 2003-2013.

Reforma e ndërmarrë në legjislacionin e Planifikimit Hapësinor dhe ndërtimit e cila ka pasur për qëllim arritjen e një efikasiteti më të lartë në fushën e rregullimit dhe menaxhimit hapësinor, nuk është duke arritur efektin e duhur. Përmirësimi i kornizës ligjore është i domosdoshëm, qoftë përmes hartimit të Ligjit të ri apo rishikimit të ligjit aktual dhe akteve nënligjore.

Në fjalën e tij, z.Liburn Aliu theksoi se autoritetet luajnë rol të rëndësishëm në ndryshimet në kornizën ligjore në fushën e planifikimit hapësinor, megjithatë Ministria nuk ka një mekanizëm kredibil që i vlerëson këto ndryshime nga fusha e planifikimit hapësinor.

Sipas, Aliu, neni 18 i këtij ligji përbën elementin themelor që i paraprin ndryshimit që ka ndodhur.

“Por si erdhi deri te kjo reformë? Origjina e ligjit të ri është e dyshimtë dhe nuk ka as legjitimitet e as kredibilitet se mbi çfarë bazë është sjellë ky ndryshim përkundër faktit se është votuar dhe aprovuar me shumicë parlamentare."

"Fakti i mungesës së studimeve e hulumtimeve kredibile nga kjo fushë shfaq në të njëjtën anë edhe nevojën e madhe për krijimin e autoriteteve profesionale që shqyrtojnë të gjitha anët e planifikimit hapësinor. Zgjidhja konkrete në praktikë kërkon krijimin e Institutit të Planifikimit Hapësinor të pavarur, kredibil dhe profesional në kuadër të Ministrisë, roli i të cilit nuk do të jetë vetëm rol vëzhgues por komponentë kryesore për hulumtime serioze e cila do shërbejë për nxjerrjen e të dhënave të qarta dhe kredibile nga kjo fushë. Krijimi i një databaze për hulumtime që i shërben Insitutit të Planifikimit Hapësinor, do të ishte zgjidhja e duhur për problem shumëdimensionale të kësaj natyre”.

Znj. Albena Reshitaj tutje, theksoi se ka vullnet të madh të bashkëpunimit mes Kuvendit, Komisioneve dhe Ministrisë, por që në disa raste shihet mungesa e përkushtimit politik.

Në kuadër të pjesës së Planifikimit Hapësinor nga Programi Qeverisës në kuadër të Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor janë të parapara çështjet si: adresimi i tokës dhe shpronësimit, kadastri, aerofotografimi i territorit të Kosovës, ridizajnimi i gjeoportalit, përditësimin e të dhënave hapësinore si dhe zhvillimi i aplikacionit për menaxhimin e të dhënave të shpronësimit.

Po ashtu, znj. Reshitaj tha se të gjitha çështjet e lidhura me planifikim hapësinor dhe mjedis shqyrtohen në Komision si çështje me prioritet të lartë.

Tutje, morri fjalën edhe Sazan Ibrahimi, i cili theksoi procesi i hartimit dhe amandamentimit të ligjeve janë procese që marrin kohë, diku afër një vit dhe shpeshherë këto ligje nuk mund të amandamentohen e për rrjedhojë kthehen në pikën zero.

Për këtë, është më se e rekomandueshme që ligjet e hartuara në të ardhmen nga fusha e planifikimit hapësinor të jenë sa më të thjeshta dhe koncize.

Së fundmi, morri fjalën Shkëlqim Daci, i cili si profesionist i fushës ndau shumë problematika që lindin në praktikë si rezultat i tendencës për komplikim në terme e definicione profesionale në ligjet e planifikimit hapësinor.

Sipas Daci, planifikimi hapësinor në vete kërkon trajtim më të detajuar dhe të bazuar në fakte relevante e jo në formë të trajtimit sipërfaqësor, praktikë që është përcjell deri në ditët e sotme sa i përket zbatimit të planeve dhe kontrollit të zhvillimit të planeve përkatëse.

Pas fjalëve të panelistëve, u vazhdua me diskutim të hapur mes të pranishmëve. Profesorë nga fusha e arkitekturës dhe planifikimit hapësinorë, profesionistë e ekspertë ndanë përvojat e tyre profesionale duke adresuar kritika dhe rekomandime karshi institucioneve relevante.

Po ashtu, u bë thirrje që hulumtime të kësaj natyre të jenë pjesë edhe e institucioneve publike që do të shërbejnë si të dhëna zyrtare dhe kredibile nga ekspertë të fushave të ndryshme, posaçërisht nga fusha e planifikimit hapësinor.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)