Pjesëmarrje e ultë e kompanive nga Shqipëria në Panairin `Prishtina 2019`
Prishtinë, 25 prill - Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi vitin e kaluar kishte kritikuar atëherë kryetarin e Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, se nuk i kishte ftuar kompanitë nga Shqipëria në panairin “Prishtina 2018”, e që në shenjë proteste për këtë gjë, ai nuk kishte marrë pjesë në ceremoninë e hapjes.
Kurse këtë vit, me kryetarin e ri, Berat Rukiqi, në panairin “Prishtina 2019”, po vërehet një numër i papërfillshëm i bizneseve nga Shqipëria.
E ambasadori Minxhozi, i cili sivjet ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes, në intervistë për Radio Kosovën ka pranuar se ka pjesëmarrje të ultë nga Shqipëria, por këtë herë ai nuk kritikoi, veçse shtoi që duhet shikuar kah e ardhmja.
Radio Kosova: Z. ambasador, a keni informata sa kompani nga Shqipëria janë prezentë në Panairin “Prishtina 2019”, pasi sipas asaj që kemi parë, nuk duket se ka mjaft?
Qemal Minxhozi: Nuk janë mjaftueshëm, janë diku 4-5 kompani nga Shqipëria, por duhet të kemi parasysh se sot në Kosovë zhvillohen panaire të ndryshme, edhe rajonale, ku kompanitë e Shqipërisë janë shumë prezentë. Para ca kohësh u bë një panair në Prizren, ku ishin numër i konsiderueshëm i kompanive nga Shqipëria. Megjithatë do të duhej të ishin më tepër.
Radio Kosova: Vitin e kaluar, keni kritikuar atëherë kryetarin e Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, për prezencën e ultë të kompanive nga Shqipëria në këtë panair, çka ndodhi sivjet?
Qemal Minxhozi: Sivjet është diçka më mirë, thashë dhe një herë, sepse janë gjithsejtë me sa di unë 60 kompani të Kosovës, kompani ndërkombëtare, austriake, gjermane, kompani nga Shqipëria, një nga Portugalia, nga Finlanda... E them, kemi bërë një decentralizim, duke përdorur edhe rajone të tjera të Kosovës, dhe për dijeninë e juaj në korrik do të bëhet një panair i Gjilanit, që do të jetë me një pjesëmarrjeje shumë të madhe nga Shqipëria, mendohen të jenë rreth 40 kompani nga Shqipëria për të marrë pjesë atje.
Radio Kosova: Ju z. Ambasador, treguat njërën prej arsyeve të pjesëmarrjes së ultë këtu, pra, për shkak të pjesëmarrjes në panaire rajonale. A nuk është mjaftueshëm atraktiv ky panair i Kosovës? Pse nuk vijnë në Kosovë në këtë panair kompanitë nga Shqipëria, por shkojnë në rajon?
Qemal Minxhozi: Jo, fola për rajonin e Kosovës, brenda Kosovës, në qytetet e ndryshme të Kosovës, këtë e pata parasysh kur fola për rajonin.
Radio Kosova: Mirëpo, për momentin në Kosovë është duke u mbajtur vetëm ky panair!?
Qemal Minxhozi: Kësaj radhe nuk mund të jap ndonjë shpjegim më konkret, por ne po përgatitemi edhe për panaire të tjera. Do të duhej të ishin me tepër kompani nga Shqipëria, jam plotësisht dakord.
Radio Kosova: Vitin e kaluar keni kritikuar ish-kryetarin e Odës Ekonomike, kurse sivjet kush duhet të kritikohet për pjesëmarrjen e ultë të kompanive nga Shqipëria?
Qemal Minxhozi: Nuk do t’i hyj kësaj teme, ne duhet të shikojmë kah e ardhmja... Faleminderit!