Pesë vjet të sfidave ekonomike
Prishtinë, 18 shkurt - Me gjithë problemet me të cilat është përballur ekonomia e Kosovës gjatë pesë vjetëve të funksionimit si shtet i pavarur dhe sovran, ajo ka pasur zhvillime pozitive në disa sektorë, duke bërë të përmirësohet jeta e qytetarit të vendit. Komuniteti i biznesit në vend ka vlerësuar se janë bërë hapa të rëndësishëm, por duhet bërë shumë punë që të kemi më shumë zhvillim ekonomik.
Gërxhaliu: Vite të anëtarësimit në organizma ekonomikë
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka vlerësuar se shpallja e Pavarësisë së Kosovës ka qenë një arritje shumë e madhe për kombin shqiptar.
Në aspektin ekonomik në këta pesë vjet kemi bërë shumë hapa të rëndësishëm si: anëtarësimi në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bankën Botërore (BB) dhe së fundi në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ka thënë ai. Sipas tij, është koha që tani të punojmë që të gjithë së bashku dhe ta bëjmë reformën e ekonomisë së Kosovës, e cila për shumë vite ka qenë e shkatërruar nga okupatori serb.
Është koha të kthehemi dhe të mendojmë për ekonominë, e kaluara e Kosovës është e shndritshme, por tani ka ardhur koha të punojmë dhe ta zhvillojmë ekonominë e Kosovës, ka deklaruar Gërxhaliu.
Shahini: Veç Kosova pati rritje ekonomike
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka deklaruar se edhe pse vend i vogël dhe me një ekonomi të dërrmuar nga lufta, Kosova për këto vite ishte i vetmi shtet në rajon që pati rritje ekonomike.
Për këta pesë vjet Kosova duhet krenuar me të arriturat. Një ndër to është edhe anëtarësimi i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bankën Botërore (BB) dhe së fundi në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ka theksuar ai.
Qorraj: Arritje - përmirësimi i rangimit në raportin e të bërit
Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Gazmend Qorraj, ka vlerësuar se ekonomia e Kosovës po përballet me probleme serioze si me bazën prodhuese, eksportin, papunësinë enorme dhe probleme të tjera sociale.
Qeveria e Kosovës nuk ka bërë shumë, për aspektin ekonomik marrë parasysh faktin se ekzistojnë probleme serioze me privatizimin dhe me aspekte të tjera, i vetmi aspekt pozitiv mund të ceket se është ruajtja e stabilitetit makroekonomik, duke marrë parasysh edhe intervenimet e FMN-së si dhe kohët e fundit përmirësimi i rangimit në raportin e të bërit biznes, ka theksuar ai.
Ndërsa sa i përket krahasimit me Evropën dhe ndikimit nga kriza evropiane, Qorraj ka theksuar se opinioni e di se kriza evropiane nuk ka ndikim shumë të madh në Kosovë.
Patjetër se duhet ndërruar qasja dhe transformimi i punësimit nga sektori publik në atë privat dhe njerëzit në Kosovë të mos e kenë shpresën e vetme për punësim në PTK, KEK aeroport, ose në institucionet e tjera si ministritë e Qeverisë, por të kenë zgjidhje alternative për punësim në sektorin privat, ka theksuar ai.(Epoka e re)