16 Janar 2025

Pesë vjet të ekonomisë në Kosovën e pavarur

Prishtinë, 17 shkurt - Me gjithë problemet me të cilat është përballur ekonomia e Kosovës, gjatë pesë vjetëve të funksionimit si shtet i pavarur dhe sovran, ajo ka pasur zhvillime pozitive në disa sektorë, duke bërë të përmirësohet jeta e qytetarit të vendit.

Por në këta pesë vjet ka pasur edhe sfida dhe ngecje që kanë bërë të ketë stagnime në shumë sektorë të ekonomisë së vendit. Periudha prej më shumë se një dekade e shkatërrimit të ekonomisë së Kosovës bëri që reformat në ekonomi të zgjasin për shumë vjet.

Pas pavarësimit të Kosovës, sektorët që kanë pësuar ndryshime për të mirë konsiderohen zhvillimi dhe ndërtimi i infrastrukturës rrugore në vend, ku për pesë vjet Qeveria e Kosovës ka investuar qindra miliona euro.


Një arritje tjetër e shtetit më të ri në botë është anëtarësimi i saj në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe në Bankën Botërore (BB) dhe së fundi në Bankë Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Anëtarësimi në këto tri organizata të mëdha financiare ndërkombëtare e rriti besimin se Kosova po bëhet vend i besueshëm për investime të huaja.

Tregtia e jashtme, ndërkaq, gjatë pesë vjetëve të pavarësisë ka pësuar ndryshime pozitive si në eksport dhe rritje të importit. Kështu që, eksportet në vitet e shtetësisë së Kosovës janë realizuar në përputhje me politikat e Qeverisë së Kosovës dhe pjesëmarrësve të tjerë që janë të përfshirë në këtë proces.

Për pesë vjet Qeveria e Kosovës ka punuar shumë për të thithur investime të mëdha në kompanitë publike që dikur ishin burim i të ardhurave si për qytetarët, por edhe për buxhetin e shtetit.

Gjatë këtyre pesë vjetëve do të mbahet mend se Qeveria e Kosovës ka dhënë me koncensionim Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), i cili është dhënë për 20 vjet që të shfrytëzohet nga kompania turke LIMAK, me të cilën synohet të ketë përfitime për Kosovën të qindra miliona eurove.


Në këta pesë vjet do të mbahet mend se Qeveria e Kosovës pati shumë përpjekje ta privatizojë Postën dhe Telekomin e Kosovës (PTK), e cila është ende në këtë proces.

Edhe pas pesë vjetëve të Pavarësisë së Kosovës, vendi ende po përkrahet nga mërgimtarët tanë që radhiten se janë ndër të parët në botë së bashku me meksikanët që dërgojnë para për t’i ndihmuar familjet e tyre. Të hyrat nga remitencat gjatë këtyre viteve kanë shënuar herë rënie e herë ngritje, varësisht prej shtetit nga ata vijnë.

Pavarësisht efekteve të krizës globale që pati prekur botën, sistemi bankar në Kosovë s’ka qenë i qëndrueshëm, disa banka kanë vazhduar me fitime, por ka pasur disa të tjera që kanë shënuar edhe humbje.

Që nga pas lufta qytetarët e vendit janë përballur me vështirësi elektrike.

Besimi se pas pavarësisë së Kosovës do të sjellë dritë nuk u realizua 100 për qind. Vendimet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), për të bërë shkyçje kolektive, patën hasur në shumë reagime, madje nga disa organizma për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, janë cilësuar si shkelje e të drejtave të njeriut, duke marrë parasysh se është konsideruar si dënim kolektiv.

Një problem që ende nuk po zgjidhet ka të bëjë me mjetet e akumuluara të privatizimit që janë mbi 600 milionë euro dhe që janë të investuar në institucione të jashtme.

Sido që të jetë, e pavarësisht shumë problemeve që po përballet Kosova për të funksionuar si shtet me ekonominë e saj të dërmuar për shumë vite, ajo po e ruan primatin së bashku me Shqipërinë si vende që kanë rritje ekonomike prej disa për qind.

Ndërtimi i autostradës është një arritje e madhe për Kosovën. Gjatë këtyre viteve po ashtu do të mbahet mend se shumë kompani shoqërore janë shitur, duke përfshirë edhe privatizimin e Distribucionit të energjisë elektrike.(Epoka e re)

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)