Përzgjidhen anëtarët e rinj të Komisionit të granteve
Prishtinë, 27 dhjetor - Në Ministrin e Financave sot është hedhur shorti për përzgjedhjen e katër anëtarëve te rinj të Komisionit të Granteve, i cili vendos për financimin e pushtetit lokal.
Ministri i Financave Besim Beqaj me ketë rast ka theksuar se viti 2013 ishte i suksesshëm sa i përket realizimit të granteve të ndara për financimin e komunave.
Në këtë takim pjesëmarrës ishin edhe kryetarët e komunave të Republikës së Kosovës, ku ministri Beqaj me këtë rast i informoi se sipas parashikimeve për këtë vit do të kemi rritje ekonomike prej 3,2 %, në vitin 2014 planifikohet rritje prej 4.1 ndërsa për periudhën afatmesme, presim një rritje mesatare vjetore prej rreth 4.6%.
Ministri i Financave tha se gjatë viteve të kaluara, Qeveria ka investuar mjaft në fushat me prioritet siç janë infrastruktura rrugore, arsimi, bujqësia dhe shëndetësia me qëllim të krijimit të parakushteve për zhvillimin dhe rritjen të mëtejme ekonomike.
Gjatë vitit 2013, Ministria e Financave ka qenë bartëse e një sërë reformash strukturore, të parapara me Marrëveshjen Stand-By me FMN. Pos përmbushjes së kritereve strukturore, janë përmbushur të gjitha caqet kuantitative dhe kjo ka bërë që Marrëveshja Stand-By të përmbyllet me sukses, tha ministri Beqaj.
Për herë të parë në këtë vit gjatë hartimit të buxhetit është respektuar rregulla fiskale, përmes se cilës është përcaktuar ruajtja e niveli i deficitit të përgjithshëm në 2% të BPV-së së projektuar në buxhetin e vitit aktual, tha Beqaj dhe theksoi se qëllimi kryesor është që përmes rregullës fiskale të vihet kufizim i caktuar në njërin prej indikatorëve specifik fiskal si politikë për mbikëqyrje të kontrolluar të qëndrueshmërisë makro-fiskale. Kjo rregull do të ndikojë po ashtu në ruajtjen e qëndrueshmërisë së borxhit gjatë periudhës afatmesme/afatgjatë.
Ndërsa, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Administrimit të pushtetit lokal, Slobodan Petroviq tha se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal bazuar në mandatin e vet ndihmon organet e vetëqeverisjes lokale në zhvillimin e buxheteve dhe të sistemeve të tyre të menaxhimit të financave dhe në bashkërendim me Ministrinë e Financave siguron se administratat komunale marrin mjetet buxhetore që u duhen për ti ushtruar përgjegjësitë e veta, duke përfshirë investimet publike .
Jemi të vetëdijshëm se komunat e Republikës së Kosovës kanë nevoja të shumta për mjetet financiare në mënyrë që ti përmbushin detyrat dhe obligimet e veta para qytetarëve por është mjaftë vështirë sepse nevojat e qytetarëve janë shuam më të mëdha se buxheti i komunës, ka shtuar ai.
Ai gjithashtu theksoi se Qeveria Lokale duhet të zhvilloj aktivitete me qëllim të adresimit konkret që ka të bëjë me caktimin e prioriteteve në mënyrë që ti adresojë nevojat elementare të qytetarëve të cilët shfrytëzojnë shërbimet e komunave.
Me hedhjen e shortit për anëtar të rinj të komisionit të granteve, janë përzgjedhur kryetarët e komunave Fushë Kosovë, Hani i Elezit, Podujevë dhe Leposaviq.