Përurohet zyra e gjendjes civile në Shupkovc
Mitrovicë, 23 prill - Tash e tutje banorët e fshatrave Shupkovc, Kqiç i Madh, Kqiç i Vogël e Zasellë të Komunës së Mitrovicës nuk do të kenë nevojë të shkojnë në Mitrovicë për tu pajisur me certifikata të ndryshme.
Kjo për shkak të ndërtimit të Zyres së gjendjes civile në fshatin Shupkovc, e cila u përurua të martën në prani të drejtuesve të komunës.
Kryetari, Avni Kastrati, tha se me këto zyre do të lehtësohet shumë ofrimi i shërbimeve për qytetarë, të cilët për çfarëdo dokumenti është dashur të udhëtojnë në Mitrovicë nga fshatrat e tyre.
Ne do të vazhdojmë të investojmë për krijimin e kushteve më të mira për ofrimin e shërbimeve për qytetarët tanë edhe në skajet më të thella të territorit të komunës.
Ndërsa, drejtori për Administratë, Abdullah Bejtullahu, tha se fillimisht Zyra e gjendjes civile do të shërbej për ofrimin e shërbimeve të gjendjes civile si certifikata të lindjes, certifikata të vdekjes, certifikata të vendbanimit etj.
Më vonë parashihet që të zgjerohet veprimtaria e kësaj zyre që të shërbej si një zyre e vogël komunale.
Ai tha se kjo është zyra e pestë e gjendjes civile që është hapur në territorin e Komunës së Mitrovicës.
E para është hapur në Bare, mandej në Stan Tërg, Tunel të Parë, Spitalin rajonal, ndërsa zyra për Vinarc dhe Gushavc është e gatshme, tha ai, duke sqaruar se objekti i ndërtuar në Shupkovc ka kushtuar rreth 26 mijë euro.