Përurohen 6 shtëpi të reja në Kroin e Vitakut
Mitrovicë, 7 gusht - Në vazhdën e rindërtimit në veri të Mitrovicës, të mërkurën u përuruan 6 shtëpi të reja në Kroin e Vitakut. Shtëpitë janë rindërtuar nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe Komunës së Mitrovicës.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, shprehu kënaqësinë që janë krijuar kushte për kthimin e shumë familjeve të veriut në shtëpitë e tyre të reja. Jemi shumë të kënaqur, meqë këta banorë deri me tani kanë jetuar në kushte të rënda.
Ai tha se rindërtimi do të vazhdoj deri në shtëpinë e fundit, meqë ende ka shumë banorë, të cilët nuk janë kthyer në shtëpitë e veta. Ka ende banorë të veriut që jetojnë në strehimore kolektive apo me qira në jug të qytetit apo edhe në qytete tjera. Do të vazhdojmë punën që të krijohen mundësi që të gjithë të kthehen në shtëpitë e tyre.
Deri me tani në veri, në të gjitha lagjet janë rindërtuar 202 shtëpi, ndërsa që ka nevojë të rindërtohen edhe rreth 250 sosh.