Përpunimi i produkteve ushqimore shënon ngritje prej 5.6%
Prishtinë, 4 mars - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Prodhimit (IÇP) për tremujorin e katërt (TM4) 2021.
Indeksi i tërësishëm i çmimeve të prodhimit në Kosovë u ngrit për 0.6% në TM4 2021, krahasuar me TM3 2021. Ngritje më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike vërehen te: përpunimi i produkteve ushqimore (5.6%); prodhimi i pajisjeve elektrike (2.7%); prodhimi i mjeteve motorike të (transportit), rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove (2.2%); prodhimi i metaleve (1.6%); prodhimi i pijeve (1.6%); xeheroret dhe guroret e tjera (1.5%); prodhimi produkteve kimike (1.4%); energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar (1.0%); dhe prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara – thurëse (0.9%).
Ngritja u neutralizua nga rënia e çmimeve te: nxjerrja e xehes së metalit (-17.7%); prodhimi i mobilieve (-3.2%); prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t (-2.5%); prodhimi i produkteve të gomës dhe të plastikës (-1.2%); prodhimi i produkteve minerale jo metalike (-0.7%); prodhimi i letrës dhe produkteve prej saj (-0.4%); prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve (-0.2%); dhe prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej saj (-0.1%).
Ndërkaq, krahasuar TM4 2021 me TM4 2020, çmimet e prodhimit u ngritën në një mesatare prej 7.2%. Ngritje më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike vërehen te: energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar (16.2,%); prodhimi i metaleve (13.1%); përpunimi i produkteve ushqimore (7.3%); prodhimi i mobilieve (6.0%); prodhimi i pajisjeve elektrike (5.5%); prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve (4.8%); prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara – thurëse (4.4%); prodhimi produkteve të gomës dhe të plastikës (2.7%); prodhimi produkteve kimike (2.6%); prodhimi i mjeteve motorike të (transportit), rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove (2.1%); prodhimi i produkteve minerale jo metalike (1.6%); prodhimi i pijeve (1.2%); prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej saj (1.0%); xeheroret dhe guroret e tjera (1.0%); grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë (0.7%); dhe prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t (0.4%).
Ngritja u neutralizua nga rënia e çmimeve te: nxjerrja e xehes së metalit (-5.6%).
Për më shumë informata lidhur me Indeksin e Çmimeve të Prodhimit (IÇP) për TM4 2021, vizitoni: http://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/ekonomi/çmimet.