20 Nëntor 2024

Përplasje për ligjin e punës

Prishtinë, 22 gusht - Pushimi i lehonisë përplas sërish punëdhënësit dhe sindikalistët. Derisa ligji i punës është në fazën e diskutimeve për ndryshim-plotësimin e tij, propozimet e njërës palë janë të papranueshme për palën tjetër.

Kjo çështje pritet të diskutohet edhe në takimin e Këshillit Ekonomik Social, që do të mbahet më 28 gusht.

Pushimi i lehonisë që me ligjin aktual të punës është në kohëzgjatje prej 12 muajsh, pritet të shkurtohet për 3 muaj. Këtë ndryshim e kanë kërkuar përfaqësuesit e punëdhënësve.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, tha se kanë propozuar që punëdhënësit t’i paguajnë lehonat një muaj me 100 për qind të pagës, kurse pjesën tjetër ta paguajë qeveria me 70 për qind të pagës mesatare në Kosovë.

Afati prej tre muajsh i pushimit të lehonisë jetë pa pagesë, por që lehona ta ketë të sigurt vendin e punës, tha Shahini.

“Këto do të ishin kushte optimale për t’i kënaqur edhe punëdhënësit edhe punëmarrësit dhe për të pasur politika afatgjate edhe për të mbështetë biznesin se nuk po bëhet ngarkesë e madhe, një muaj paguhet një pagë, kurse në anën tjetër stimulohet nataliteti i Kosovës”.

Përfaqësuesit e sindikatës, të cilët ishin angazhuar që pushimi i lehonisë të jetë 12 muaj, respektivisht nëntë muaj me pagesë, e kundërshtojnë një ndryshim të tillë. Alush Sejdiu, nënkryetar i BSPK-së dhe kryesues i Këshillit Ekonomik Social thotë se shkurtimi i kohëzgjatjes, por edhe pagesës së pushimit është diskriminues për femrat e punësuara.

“Ne kemi konsideruar se duhet të jetë 12 muaj, pagesa të jetë nëntë muaj, pagesa të reduktohet: katër muaj të paguhet nga punëdhënësi, pesë muaj nga qeveria. Ky është propozimi jonë”.

Në Ministrinë e Punës kanë shkuar edhe propozime tjera, që pushimi i lehonisë të jetë nëntë muaj, duke e ndarë pagesën mes punëdhënësve dhe qeverisë nga katër muaj e gjysmë, apo që ky pushim me pagesë të shkurtohet në gjashtë muaj, që punëdhënësi të paguajë 2 muaj me 70 për qind të pagës, dhe qeveria katër të tjerë me 50 për qind të pagës mesatare.

Kjo çështje do të diskutohet edhe në takimin e Këshillit Ekonomik Social, që parashihet të mbahet më 28 gusht, sqaron Sejdiu.

“Ne do ta kundërshtojmë sigurisht, por sa merren parasysh propozimet tona, ne nuk garantojmë asgjë, për arsye se është qeveria, janë bizneset edhe mund ta kalojë. Ne duhet të jemi të sinqertë e të mos dalim para punëtorëve e të japim premtim të kota se do ta stopojmë”.

Punëdhënësit kanë propozuar që të bëhen ndryshime edhe sa i përket kontratave të punës, që një punëtor të mund të krijojë marrëdhënie pune me më shumë se një punëdhënës. Njëkohësisht është propozuar që të zvogëlohet mosha e të miturve që mund të përfshihen në marrëdhënie pune, prej 13 deri në 15 vjeç, por këto ndryshime kundërshtohen nga sindikalistët. 


/RTK/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)