Përplasen Ministria e Financave dhe LDK-ja
Prishtinë, 15 janar - Lidhja Demokratike e Kosovës duke u shërbyer me shënime të pjesërishme dhe pa analiza profesionale, në kumtesën e datës 15 Janar 2014, dezinformon opinionin publik lidhur me zhvillimet në ekonomi gjatë vitit 2013 dhe parashikimet për vitin 2014.
Qëndrimet e Ministrisë së Financave dhe Institucioneve financiare ndërkombëtare vlerësojnë që dogana e Kosovës ka vazhduar të përformoj pozitivisht edhe gjatë vitit 2013 në arkëtimin e të hyrave doganore, përkundër rrethanave jo të favorshme ekonomike të paraqitura në vendet e rajonit, euro-zonë dhe më gjerë. Nuk qëndron vlerësimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës që rënia e të hyrave të realizuara nga Dogana e Kosovës është rezultat i mungesës së angazhimit profesional të këtij institucioni në arkëtimin e të hyrave të realizuara gjatë vitit 2013. Në këtë drejtim, Ministria e Financave në bazë të analizave përkatëse konfirmon që rënia e të hyrave i atribuohet (1) rënies së sasisë dhe vlerës nominale të importeve; (2) rënies së çmimeve në tregjet ndërkombëtare; (3) rënies së akcizës si rezultat i rënies së sasisë së produkteve të importuara të cilat i nënshtrohen akcizës; (4) zëvendësimit të importeve me prodhimet vendore, rezultat i cili ka kontribuar në zvogëlimin e importit të disa produkteve të cilat janë importuara në vitet paraprake.
Shtimi i aktivitetit të brendshëm si rezultat i politikave të favorshme ekonomike në vend, ka ndikuar që Administrata Tatimore e Kosovës të tejkaloj planin e realizimit të të hyrave për 4.5 mln Euro, apo 305.5 mln Euro në shumë të përgjithshme.
Lidhja Demokratike e Kosovës duke mos u bazuar në asnjë analizë profesionale, paragjykon realizimin e të hyrave të planifikuara sipas Ligjit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2014. Ligji i buxhetit për vitin 2014, është i bazuar në analizat përkatëse dhe parametrat aktual ekonomik në nivel të brendshëm dhe duke pas parasysh trendet ekonomike në nivelin rajonal dhe atë global.
Gjithashtu, Lidhja Demokratike e Kosovës dezinformon publikun lidhur më implikimin buxhetor si rezultat i hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Tregti të Lirë me Turqinë, e cila është në procedurë të ratifikimit në të dyja shtetet dhe në bazë të planifikimit kohor, e njëjta do të fillojë të implementohet në vitin 2015 dhe jo në vitin 2014, ashtu siç është theksuar në komunikatën e LDK-së.
Bazuar në indikatorët makroekonomik, rritja ekonomike për vitin 2013 vlerësohet që do të jetë 3.2% dhe i njëjti trend pozitiv do të vazhdojë të jetë më i larti në rajon edhe në vitin 2014, përkatësisht 4.1%.
Ministria e Financave konfirmon që buxheti për vitin 2014 është buxhet i bazuar në parametrat aktual ekonomik, i qëndrueshëm, reflekton nevojat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe adreson prioritet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe mirëqenie më të mirë ekonomike për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Ministria e Financave gjatë hartimit të buxhetit për vitin 2014 ka qenë në koordinim të plotë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, të cilët kanë konfirmuar që buxheti për vitin 2014 reflekton stabilitetin makro-fiskal dhe qëndrueshmërinë buxhetore.
Hoti: Të hyrat nga doganat kanë rënie
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), vlerëson se deklarimet e drejtorit të Doganave të Kosovës lidhur me të hyrat doganore gjatë vitit 2013 janë mashtrim i opinionit. Ai doli në medie dhe gënjeu haptas qytetarët e Kosovës kur tha se Doganat e Kosovës e përmbyllën një vit të suksesshëm.
Sipas të dhënave që ai vetë ka prezantuar, Doganat e Kosovës gjatë vitit 2013 dështuan të realizojnë planin. Në ligjin e buxhetit për 2013, të hyrat e planifikuara nga doganat ishin 915 milionë euro, ndërkaq u realizuan vetëm 837 milionë euro. Pra, plani nuk është realizuar për 78 milionë euro, ose 8.5 për qind, tha Abdullah Hoti.
Shqetësues sipas tij, është se realizimi i të hyrat nga doganat në vitin 2013 është për 7 milionë më i ulët se në vitin paraprak. Kjo praktikë e mashtrimit të opinionit është bërë traditë nga kjo Qeveri, e cila planifikon të hyra të larta dhe pastaj realizimi i tyre ngec. Kjo ka ndodhur edhe në vitin 2012, kur të hyrat nga doganat u planifikuar 875 milionë euro, ndërkaq realizimi ishte vetëm 844 milionë euro, theksoi Hoti duke shtuar se kjo pritet të ndodh edhe më 2014.
Këtë vit hyrat nga doganat janë planifikuar 934 milion euro, ndërkaq në bazë të trendit aktual nuk mund të realizohen më shumë se 830 milion euro. Kjo edhe për faktin se është nënshkruar marrëveshja e tregtisë së lirë me Turqinëtha, Hoti, Transmeton Telegrafi.
Anomaliza sipas tij, tjetër është deklarimi se sasia e importuar e mallrave gjatë vitit 2013 është për 5% më e ulët se në vitin 2012.
Në terma monetarë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri në fund të muajit nëntor importi ishte 2.22 miliardë euro, derisa eksporti vetëm 272 milionë euro. Kjo ka shkaktuar bilanc tregtar negative prej -1.95 miliard eurosh. Eksporti në vitin 2013 është rritur me vetëm 17.2 milionë, rritje kjo minimale dhe e pamjaftueshme për të zvogëluar sadopak hendekun negativ të bilancit tregtar, ka thënë Avdullah Hoti nga LDK-ja