Përmbyllet projekti "Agjenda e Biznesit të Kosovës 2011"
Prishtinë, 12 tetor - Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë sot ka përmbyllur projektin Agjenda e Biznesit të Kosovës 2011 të mbështetur nga Programi i USAID-it për Përmirësimin e Mjedisit Afarist në Kosovë (USAID BEEP), në një Forum gjatë të cilit u prezantua edhe dokumenti final me të njëjtin titull Agjenda e Biznesit të Kosovës 2011.
Dokumenti Agjenda e Biznesit të Kosovës 2011 përfshin problemet me të cilat përballen bizneset e Kosovës në nivel lokal dhe qendror të identifikuara gjatë dy serive të takimeve me biznese dhe shoqata të biznesit në tetë komuna të Kosovës.
Synimi i këtyre takimeve ishte mbledhja e informacioneve të dorës së parë lidhur me çështjet dhe sfidat me të cilat përballen bizneset, qoftë në nivelin lokal apo atë qendror të qeverisjes.
Çështjet e prezantuara nga bizneset përfshijnë, çështjet e doganave, çështjet tatimore, të prokurimit publik, të prodhimit, të furnizimit me energji elektrike, të komunave, të vonesës së pagesave dhe çështjet e Ligjit të Punës.
Përveç kësaj, secila çështje specifike pasohet nga rekomandimet, të cilat janë dhënë po ashtu direkt nga bizneset, duke e bërë kështu dokumentin të veçantë.
Pjesa përfundimtare e dokumentit përmban një plan veprimi, i cili në mënyrë të thjeshtuar përmbledhë çështjet e identifikuara, rekomandimet dhe ligjet ose rregulloret që duhen ndryshuar apo zbatuar për të përmirësuar mjedisin afarist në Kosovë.
Gjithashtu, ky plan veprimi identifikon institucionet të cilat janë përgjegjëse për bërjen e ndryshimeve të kërkuara nga komuniteti i biznesit.
Përfaqësuesit e institucioneve të vendit, të pranishëm në Forum, u zotuan të marrin të gjitha masat e nevojshme për eliminimin e çështjeve të identifikuara në dokumentin e publikuar nga Oda Ekonomike Amerikane me qëllim të përmirësimit të mëtejmë të mjedisit afarist.
Ata përmenden po ashtu faktin që një pjesë e këtyre çështjeve tashmë janë eliminuar, siç është çështja e lejeve komunale të punës, apo pritet të zgjidhen shumë shpejtë përmes implementimit të masave të reja fiskale të paralajmëruara nga institucionet qeveritare të vendit.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i programit USAID BEEP, Brian Kemple, tha se dokumenti i përgatitur nga Oda Amerikane do të duhej të shërbente si udhërrëfyes për institucionet e vendit në hapat e mëtejmë dhe si i tillë ndihmon në përmirësimin e dialogut publiko-privat.
Ai po ashtu ka shtuar se shembulli i Forumit të sotëm do të duhej të ndiqej edhe nga shoqatat e tjera të biznesit.