Përmbyllen diskutimet e Qeverisë dhe FMN-së

Prishtinë, 28 mars - Ministria e Financave ka bërë të ditur së janë përmbyllur sot diskutimet ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Gjatë tri ditëve të kaluara, Ministria e Financave ka pasur një sërë takimesh me ekipin e FMN-së, të udhëhequr nga Jacques Alain-Miniane, Shef i Misionit për Kosovë, ku janë diskutuar një sërë çështjesh që lidhen me zhvillimet e fundit ekonomike e fiskale të vendit dhe për planet e Qeverisë për sa i përket ecurive në të ardhmen.
Në këto takime, Ministri i Financave, Besim Beqaj i ka informuar përfaqësuesit e FMN-së për vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave për të gjithë shërbyesit publik, për rritjen e pensioneve dhe përfitimeve tjera sociale, si dhe për vendosmërinë e Qeverisë që këto rritje të akomodohen brenda një kornize të qëndrueshme buxhetore, duke respektuar në tërësi rregullën fiskale.
Po ashtu gjatë diskutimeve të përbashkëta është konfirmuar nga dy palët përkushtimi për të vazhduar bashkëpunimin në mes FMN-së dhe Qeverisë së Kosovës me qëllim të avancimit të mëtutjeshëm të reformave të vendit drejt rritjes ekonomike dhe stabilitetit fiskal.
Përfaqësuesit e të dyja institucioneve janë pajtuar që të vazhdojnë diskutimet lidhur me formën e bashkëpunimit në të ardhmen, duke përfshirë edhe mundësinë e negocimit të një programi mes Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.