Përkrahet raporti i punës i BQK-së për vitin 2012
Prishtinë, 15 korrik - Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare, ka shqyrtuar një raport pune dhe një projektligj.
Raportin e punës së Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) për vitin 2012, para komisionit e paraqiti guvernatori Bedri Hamza, i cili dha një pasqyrë përmbledhëse të aktiviteteve të saj gjatë vitit të kaluar.
Guvernatori Hamza tha se BQK-ja edhe gjatë vitit të kaluar ishte faktor i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit, para së gjithash duke siguruar dhe ruajtur stabilitetin e sektorit financiar, si njërin ndër objektivat kryesorë të saj.
Ekonomia e Kosovës në vitin 2012, sipas Hamzes, vazhdoi me trendin pozitiv të rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa ndër kontribuesit kryesorë të kësaj rritjeje, sipas tij, ishin: konsumi privat dhe publik, përfshirë investimet publike, pa anashkaluar rritjen vjetore të dërgesave të emigrantëve dhe atë të eksporteve.
Sektori financiar i Kosovës, krahas zgjerimit të tij, ka vazhduar të mbetet i shëndetshëm dhe stabil. Gjithsej asetet e sektorit financiar arritën në 3.8 miliardë euro, gjë që paraqet një rritje vjetore prej 9.7 për qind. Në veçanti, edhe pse jo me norma të larta si në vitet paraprake, sistemi bankar i Kosovës ka vazhduar me rritje si të kredisë ashtu edhe të depozitave.\"
\"Norma vjetore e rritjes së kredisë ishte 3.8 për qind, ndërsa vlera gjithsej e kredisë bankare arriti në 1.76 miliardë euro. Depozitat u rritën me normë vjetore prej 8.6 për qind, duke arritur kështu vlerën e tërësishme prej 2.3 miliardë euro, theksoi guvernatori i BQK-së.
Në vazhdim, Hamza foli edhe për krijimin e infrastrukturës së nevojshme ligjore, e cila, sipas tij, avancon më tej afarizmin e kujdesshëm të institucioneve financiare, si dhe për avancimin e infrastrukturës financiare, si: funksionalizimi i tregut të letrave me vlerë, finalizimi i përgatitjeve për sistemin e ri të pagesave në kohë reale etj.
Kryetarja e komisionit, Hadërgjonaj, tha se raporti përfshinë të gjitha të dhënat e parapara me ligj, ndërsa anëtarët e tjerë të komisionit ngritën çështje lidhur me mbikëqyrjen e institucioneve mikrofinanciare në Kosovë.
Pas diskutimeve, komisioni përkrahu raportin dhe i rekomandoi seancës plenare miratimin e tij.
Në vazhdim, u shqyrtua Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe të plotësuar me Ligjin nr. 04/L-058, të cilin e prezantoi ministri i Financave, Besim Beqaj.
Ministri Beqaj tha se ky projektligj është i paraparë në agjendën legjislative, ndërsa tani vjen në kuadër të pakos së ligjeve për procesin e liberalizimit të vizave, me disa rekomandime të Komisionit Evropian.
Ai tha se qëllimi i projektligjit është rritja e transparencës financiare të subjekteve politike dhe e llogaridhënies.
Anëtarë të komisionit vlerësuan nevojën e miratimit të këtij projektligji, por pati edhe rezerva përkitazi me disa aspekte përmbajtësore të tij.
Komisioni e përkrahu projektligjin dhe i rekomandoi seancës miratimin e tij në parim.