Përkrahet raporti financiar 2010 i Avokatit të Popullit
Prishtinë, 6 shtator - Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, ka shqyrtuar sot raportin vjetor financiar të Institucionit të Avokatit të Popullit, dy projektligje dhe një rekomandim të grupit të punës.
Raporti vjetor financiar për vitin 2010 i Avokatit të Popullit, para komisionit u prezantua nga udhëheqësi i këtij institucioni, Sami Kurteshi.
Pas diskutimeve, komisioni i dha përkrahje raportit, duke kërkuar, njëkohësisht, raport shtesë financiar, me detaje të tjera, i cili do ti bashkëngjitet raportit bazik.
Komisioni, në vazhdim të mbledhjes, të cilën e udhëhoqi kryetarja Safete Hadërgjonaj, përkrahu Projektligjin për zjarrfikje dhe shpëtim, me raportin me amendamente të komisionit funksional, duke e proceduar tutje për shqyrtim në Kuvend.
U përkrah, gjithashtu, edhe raporti me rekomandime i grupit punues të komisionit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për financat e pushtetit lokal, i cili njëherësh do ti rekomandohet për miratim seancës plenare.
Kryetarja Hadërgjonaj njoftoi se gjatë mbikëqyrjes së zbatimit këtij ligji në terren, është vërejtur se ai, përgjithësisht, është duke u zbatuar nga komunat.
Komisioni krijoi edhe grupin e punës për amendamentimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotesimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike, si dhe diskutoi rreth mundësisë për ndërhyrje në tekstin bazik të projektligjit, krahas plotësim-ndryshimeve të propozuara nga sponsoruesi.