Përkrahet projektligji për themelimin e fondit të Ballkanit Perëndimor
Prishtinë, 18 janar - Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e fondit të Ballkanit Perëndimor, ishte temë qendrore gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit për Punë të Jashtme, të kryesuar nga Elmi Reçica, kryetar i komisionit.
Gjatë debatit lidhur me këtë, përfaqësuesit e opozitës në Komision: Puhie Demaku VV, Pal Lekaj AAK dhe Zafir Berisha, përfaqësus i NISMA-s, u shprehën kundër këtij Projektligji, sepse, sipas tyre, Kosova në takimet e parapara sipas këtij Projektligji pranon që fusnota të figurojë në të gjitha takimet që do të mbahen me atë rast.
Ata vlerësuan se përkrahja e këtij Projektligji nënkupton heqje dorë nga identiteti ynë i plotë shtetëror gjatë takimeve ndërkombëtare, andaj edhe votuan kundër Projktligjit.
Kryetari i Komisionit, Reçica, si dhe deputetët: Ismet Beqiri, Blerta Deliu- Kodra, Luljeta Gutaj Veseli dhe Qerim Bajrami, ndërkaq, qartësuan se fusnota paraqet një realitet që duhet bërë përpjekje për ta ndryshuar, por, ata vlerësuan se, deri atëherë, pjesëmarrjen në takimet ndërkombëtare, nuk duhet bojkotuar.
Pas kësaj komisioni me shumicë votash përkrahu Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e fondit të Ballkanit Perëndimor.
Në vijim është diskutuar lidhur me kërkesën e deputetes Puhie Demaku, e cila kërkoi shkarkimin nga detyra të ambasadores së Kosovës në Itali. Këtë kërkesë, deputetja Demaku, e arsyetoi me faktin se, sipas saj, ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, ka treguar sjellje jo korrekte ndaj një gazetari të KTV-së.
Komisioni hodhi poshtë kërkesën e saj, ndërkaq, vendosi që lidhur me këtë të raportojë ministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Pas kësaj, kryetari i Komisionit Reçica, njoftoi për përgatitjet që janë duke u bërë lidhur me organizimin e Samitit të kryetarëve të komisioneve të jashtme parlamentare, i cili do të mbahet gjatë muajit të ardhshëm në Kosovë.
Në këtë mbledhje është miratuar edhe Raporti vjetor i punës së Komisionit, si dhe është shqyrtuar Plani dhe Programi i punës së tij për vitin 2017.