19 Nëntor 2024

Përkrahet Projektligji për Buxhetin e Kosovës për vitin 2014

Prishtinë, 13 nëntor - Shqyrtimi në parim i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2014, ishte pikë e vetme e rendit të ditës në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa, të kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare.

Kryetarja Hadërgjonaj, fillimisht, bëri një përmbledhje të projektligjit dhe shpalosi aspekte përmbajtësore të tij.

Ajo bëri të ditur se të hyrat e përgjithshme buxhetore për vitin 2014 parashihet të kapin shifrën prej 1 miliard e 458 milionë euro, ndërsa kontribuuesit kryesorë do të jenë Doganat me 934.1 milionë euro dhe Administrata Tatimore, me 367.3 milionë euro. Shpenzimet e përgjithshme, ndërkaq, përfshirë edhe ato për AKP-në, sipas saj, pritet të jenë në vlerën 1 miliard 590 milionë euro.

Në vazhdim, ministri i Financave, Besim Beqaj, foli gjerësisht për planifikimet buxhetore për vitin e ardhshëm, shpenzimet e parapara dhe ecurinë e përgjithshme ekonomike të vendit tonë. Ai tha se propozim-buxheti është përgatitur në pajtim të plotë me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
 
Në vazhdim, ministri Beqaj tha se struktura e propozuar buxhetore bazohet në projeksionet për performancën e ekonomisë sonë për vitin e ardhshëm dhe në vitet në vijim, duke marrë për bazë edhe efektet e mundshme të krizës në vendet e eurozonës dhe atyre në rajon.

Duke folur për ritmet e rritjes ekonomike të vendit tonë, ministri i Financave tha se projeksionet për vitin 2014 janë 4.1 për qind, ndërsa mesatarja për tri vitet e ardhshme është 4.6 për qind, duke u bazuar në projeksionet për rritje të investimeve, eksportit dhe të konsumit.

Sa i përket eksportit, Beqaj tha se për vitin 2014 pritet të ketë një rritje prej 7 për qind, ndërsa vetëm eksportet e mallrave do të rriten rreth 10 për qind.

Në vazhdim të fjalës së tij, ministri Beqaj theksoi se dërgesat nga diaspora vazhdojnë të jenë financues i rëndësishëm i konsumit dhe investimeve dhe potencoi se edhe në vitet në vijim niveli i këtyre dërgesave pritet të jetë stabil.

“Ekonomia e vendit do të vazhdojë të rezistojë ndaj tronditjeve të jashtme.
Për vitin 2014, të hyrat e përgjithshme buxhetore planifikohen të jenë në nivel prej 1 miliard e 458 milionë euro, apo një rritje prej rreth 2.5 për qind, krahasuar me 2013.

Në kuadër të të hyrave totale, të hyrat nga tatimet e brendshme dhe ato doganore, pritet të rriten rreth 7 për qind”, tha ministri i Financave.

Ai shtoi se buxheti për paga dhe mëditje pritet të ketë një rritje të konsiderueshme, nga 435 milionë euro në 2013, në 484 milionë në 2014.

Ky buxhet, sipas tij, reflekton zotimin e qeverisë për rritje të pagave për të gjithë shërbyesit civilë, duke marrë për bazë performancën dhe efektivitetin e punës së tyre.

Në vazhdim, ministri foli edhe për shumat buxhetore të secilës ministri që pritet t’i kenë në dispozicion gjatë vitit 2014. Ai tha se me këtë propozim buxhet, është bërë përpjekje maksimale që të akomodohen të gjitha prioritetet e qeverisë për financim.

Në vazhdim, anëtarë të komisionit dhanë vlerësime të ndryshme përkitazi me projektligjin, duke dhënë edhe kritika dhe duke kërkuar sqarime nga ministri për një varg çështjesh.

Pas diskutimeve, komisioni e përkrahu projektligjin dhe i rekomandoi Kuvendit miratimin e tij në parim.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)