Përkrahet projektligji për BERZH
Prishtinë, 4 dhjetor - Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e së martës të cilën e udhëhoqi kryetarja Safete Hadërgjonaj, shqyrtoi amendamentet për Projektligjin e Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2013.
Shqyrtimit të tyre i kishte paraprirë një punë e gjerë e grupeve punuese dhe komisionit në tërësi, në analizimin e projektligjit dhe shqyrtimin e të gjitha kërkesave nga agjensione të ndryshme buxhetore.
Në mbledhje, në të cilën ishte i pranishëm edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, komisioni përkrahu amendamentet e propozuara dhe projektligjin në tërësi e procedoi për shqyrtim dhe miratim në instanca të tjera të Kuvendit.
Në vazhdim, u përkrah edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të cilin e prezantoi ministri Hamza.
Këtë projektligj, i cili vjen pas anëtarësimit të Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ministri i Financave e konsideroi të një rëndësie të veçantë, që, sipas tij, krijon mundësi të mira për financimin e projekteve publike dhe atyre private.