29 Prill 2024

Përkrahet Projektligji për bankat dhe institucionet mikrofinanciare

Prishtinë, 18 janar - Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, ka përkrahur sot në parim tri projektligje, një projektligj me amendamente të komisionit funksional, raportin e punës së komisionit për periudhën mars – dhjetor 2011, si dhe ka caktuar grupin e punës për Projektligjin për lojërat e fatit.

Fillimisht, komisioni diskutoi për kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme për lejimin e pagesës në paradhënie për blerjen e pajisjeve për nevojat e Policisë së Kosovës, por konstatoi se kjo kërkesë, në bazë të ligjit, nuk është objekt shqyrtimi i komisionit.

Ky konstatim mori edhe përkrahjen e ministrit të Financave, Bedri Hamza, i cili bëri të ditur se, gjithashtu, edhe Ministria e Punëve të Brendshme është pajtuar që nuk ka qenë e nevojshme që një kërkesë e tillë t’i adresohet Komisionit për Buxhet dhe Financave.

Në vazhdim të mbledhjes, të cilën e udhëhoqi kryetarja Safete Hadërgjonaj, ministri Hamza prezantoi para komisionit tri projektligje: Projektligjin për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e kodit dhe akcizave dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme.

Këto projektligje, ministri i Financave i konsideroi të një rëndësie të veçantë, të cilat, sipas tij, rregullojnë infrastrukturën ligjore në fushat përkatëse. Komisioni i përkrahu projektligjet dhe ia rekomandoi seancës për miratim në parim.  

Komisioni përkrahu, gjithashtu, amendamentet e komisionit funksional për Projektligjin për fshatin Hoçë e Madhe, duke konstatuar që kostoja financiare që ato bartin është e përballueshme për buxhetin e shtetit.

Drejtori i përgjithshëm i Radio-Televizionit të Kosovës (RTK), Sulejman Shaqiri, ndërkaq, prezantoi projeksionin e buxhetit të RTK-së për vitin 2012 dhe projeksionin për periudhën janar-mars 2012. Në diskutimet e tyre, anëtarët e komisionit kërkuan sqarime shtesë nga ana e RTK-së dhe u dakorduan që pas marrjes së projeksioneve të detajuara, komisioni t’i shqyrtojë serish dhe t’i miratojë ato në një afat sa më të shpejtë.

Komisioni miratoi edhe raportin e punës së tij për periudhën mars-dhjetor 2011 dhe caktoi grupin punues për Projektligjin për lojërat e fatit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)