Përkrahën marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe BB
Prishtinë, 1 nëntor - Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga kryetarja Safete Hadërgjonaj, ka shqyrtuar dy marrëveshje dhe një projektligj.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka prezantuar para komisionit dy marrëveshjet e arritura ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore, konkretisht Shoqatës ndërkombëtare për zhvillim: marrëveshjen për financimin për projektin për bujqësi dhe zhvillim rural dhe atë për financimin shtesë për fuqizimin e sektorit financiar dhe infrastrukturën e tregut, të cilat, i ka konsideruar me kushte të volitshme dhe të një rëndësie të veçantë për Kosovën.
Projekti i parë ka të bëjë me ndihmën për fermerët dhe agropërpunuesit në rritjen e prodhimtarisë dhe në nxitjen e konkurrencës në nënsektorët e blegtorisë dhe të hortikulturës, ndërsa qëllimi i projektit të dytë është rritja e stabilitetit dhe zhvillimin në sektorin financiar, si dhe në avancimin e infrastrukturës së këtij tregu.
Pas diskutimeve nga ana e anëtarëve të komisionit dhe pyetjeve sqaruese në adresë të ministrit Hamza, marrëveshjet u përkrahën nga komisioni dhe u rekomanduan për miratim në seancë plenare.
Në vazhdim, komisioni përkrahu Projektligjin për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore, si dhe diskutoi për rregulloren e brendshme të punës së komisionit, të cilën e prezantoi eksperti i GIZ-it, Jurgen Schatz.