Përkrahën 6 marrëveshje financiare të Qeverisë
Prishtinë, 4 maj - Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, përkrahu sot gjashtë marrëveshje financiare të nënshkruara ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe qeverive e institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, raportin vjetor financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2010 dhe Projektligjin për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim.
Në këtë mbledhje, e cila u kryesua nga kryetarja Safete Hadërgjonaj, ministri i Financave, Bedri Hamza, prezantoi para anëtarëve të komisionit marrëveshjet e nënshkruara dhe potencoi rëndësinë e tyre në zhvillimin ekonomik të vendit.
Pas diskutimeve, komisioni i përkrahu dhe i rekomandoi Kuvendit ratifikimin e këtyre marrëveshjeve: Marrëveshjes për financimin e projektit për modernizimin e sektorit publik të nënshkruar në mes Qeverisë së Kosovës dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim, Marrëveshjes për financimin e projektit për regjistrimin e pasurisë së patundshme dhe kadastër të nënshkruar në ndërmjet po këtyre dy institucioneve, Marrëveshjes për implementimin e softuerit ASYCUDA në Doganën e Kosovës, të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe UNCTAD-it.
Po ashtu Marrëveshjes për financim dhe Marrëveshjes për kredi (programi për furnizim me ujë dhe largimin e ujërave të zeza në Prishtinë faza II), të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës, KfW-Frankfurt am Main dhe Kompanisë së Ujësjellësit Regjional-Prishtina, Marrëveshjes bilaterale të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Dukës së Madh të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit zhvillimor dhe Marrëveshjes për financim dhe grante të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Botërore.
Komisioni, gjithashtu, i dha përkrahje raportit vjetor financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2010, të cilin e prezantoi ministri Hamza.
Ministri i Financave tha se veçoritë kualitative të këtij raporti janë: ngritje substanciale në të hyra, tejkalim i planit të të hyrave për disa kategori, ngritje kualitative në kategorinë e investimeve kapitale dhe ngritje simbolike e shpenzimeve në mallra dhe shërbime, përkundër zgjerimit të dukshëm të fushëveprimtarisë së institucioneve.
Gjatë prezantimit, Hamza dha detaje të raportit, duke iu përgjigjur njëherësh edhe pyetjeve të deputetëve. Komisioni i dha përkrahje raportit duke e proceduar për shqyrtim të mëtutjeshëm në Kuvend.
Në vazhdim të mbledhjes, komisioni miratoi në parim Projektligjin për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim dhe caktoi grupin e punës për amendamentimin e tij.
U krijua, gjithashtu, grupi për hartimin e rregullores së brendshme të komisionit dhe u caktua një anëtar i komisionit në grupin punues për përpilimin e dokumentacionit relevant për çështjen e digjitalizimit të qasjes në ITU, të kërkuar nga Komisioni i Pavarur për Media.