05 Nëntor 2024

Përkeqësimi i cilësisë së ujërave zvogëlon rritjen ekonomike

Washington, 20 gusht - Bota po përballet me një krizë të padukshme të cilësisë së ujërave, e cila po e fshin një të tretën e rritjes së mundshme ekonomike në zonat me shumë ndotje, si dhe po kërcënon mirëqenien njerëzore dhe mjedisore, sipas një raporti të Bankës Botërore të publikuar sot.

Cilësia e panjohur: Përmes të dhënave dhe metodave të reja, raporti “Kriza e Padukshme e Ujërave” tregon se si një kombinim i baktereve, ujërave të zeza, kimikateve dhe plastikës, mund të thithë oksigjenin nga burimet ujore, si dhe ta shndërrojë ujin në helm për njerëzit dhe ekosistemet.

Për të hedhur dritë mbi këtë çështje, Banka Botërore krijoi bazën më të madhe në botë të të dhënave për cilësinë e ujërave të mbledhura nga stacionet e monitorimit, teknologjia në distanca dhe të nxënit e makinës.

Raporti konstaton se mungesa e ujërave të pastra e kufizon rritjen ekonomike me një të tretën.

Ai bën thirrje për vëmendje të menjëhershme globale, kombëtare, dhe në nivel lokal, ndaj këtyre rreziqeve me të cilat përballen si vendet e zhvilluara ashtu edhe ato në zhvillim.
 
“Ujërat e pastra janë faktor kyç për rritjen ekonomike. Përkeqësimi i cilësisë së ujërave po e frenon rritjen ekonomike, çon në përkeqësimin e kushteve shëndetësore, zvogëlimin e prodhimeve ushqimore, dhe përkeqësimin e varfërisë në shumë vende,” tha Presidenti i Grupit të Bankës Botërore David Malpass.

 “Qeveritë e tyre duhet të ndërmarrin veprime urgjente për të ndihmuar në trajtimin e ndotjes së ujërave, në mënyrë që vendet të mund të rriten më shpejt, në mënyra ekuitabile dhe të qëndrueshme ndaj mjedisit.”

Kur Kërkesa Biologjike për Oksigjen (BOD - një matje e sasisë së ndotjes organike në ujë, dhe një tregues i tërthortë i cilësisë së përgjithshme të ujërave) kapërcen një prag të caktuar, rritja e BPV-së në rajonet në rrjedhën e poshtme bie me një të tretën për shkak të ndikimeve në shëndet, bujqësi dhe ekosisteme.

Një kontribues kryesor për cilësinë e dobët të ujërave është azoti, i cili pas përdorimit si pleh në bujqësi, përfundimisht hyn në lumenj, liqene dhe oqeane, ku shndërrohet në nitrate. Ekspozimi i hershëm i fëmijëve ndaj nitrateve ndikon në rritjen e tyre dhe zhvillimin e trurit, duke ndikuar në shëndetin e tyre dhe potencialin për fitime si të rritur.

Rrjedhjet dhe lëshimi në ujë nga çdo kilogram shtesë i plehrave azotike për hektar mund të rrisë deri me 19 për qind nivelin e zhvillimit të ndaluar të fëmijëve, si dhe të zvogëlojë me 2 për qind fitimet e ardhshme si të rritur, krahasuar me ata që nuk ekspozohen ndaj tyre.

Raporti konstaton edhe se rendimentet bujqësore po bien për shkak të shtimit të kripës në ujë dhe tokë si rezultat i thatësirave më intensive, stuhive të mëdha dhe shtimit të nxjerrjes së ujërave. Çdo vit, për shkak të ujërave të kripura, bota po humbet aq ushqim sa për të ushqyer 170 milion njerëz.

Raporti rekomandon një sërë veprimesh që mund të ndërmerren nga vendet për të përmirësuar cilësinë e ujërave. Këto përfshijnë: politikat dhe standardet mjedisore; monitorimin e saktë të ngarkesave të ndotjes; sisteme efektive të sanksionimit; infrastrukturën e trajtimit të ujërave të mbështetur me stimuj për investime private; dhe informacione të besueshme dhe të sakta për amvisëritë, në mënyrë që të frymëzohet angazhimi i qytetarëve.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)