Përgjegjësia sociale e rëndësishme për qëndrueshmërinë e bizneseve
Prishtinë, 4 shkurt - Përveç benefiteve që përgjegjësia sociale korporative sjell në mirëqenien e shoqërisë, ajo gjithashtu ka një impakt të madh në qëndrueshmërinë e bizneseve, me theks të veçantë në krijimin e një imazhi më të mirë për ata që janë aktivë në këtë aspekt. Kjo u konkludua gjatë një tryeze të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ku përfaqësuesit e kompanive anëtare patën mundësinë të diskutojnë mbi efektin e aktiviteteve të tyre në të mirë të shoqërisë.
Agim Hasani nga NLB Bank, theksoi se edhe pse institucioni të cilin ai e përfaqëson ka karakter komercial, përgjegjësia sociale korporative për ta ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Sipas tij, fokus i veçantë i kësaj kompanie është kujdesi ndaj segmenteve të caktuara të shoqërisë, të cilat në njëfarë forme janë të margjinalizuara, duke shtuar se vitet e fundit NLB Banka është jashtëzakonisht aktive me projekte të ndryshme të kësaj natyre. Hasani tha se aspektet e CSR janë të kushtëzuara edhe nga sukseset e institucionit, ku të njëjtat paraqesin një motiv shtesë për rritjen e angazhimeve në drejtim të përgjegjësisë sociale korporative.
Nora Tuli-Karahoda nga Cacttus, u shpreh se kjo kompani ka mbështetur shumë kauza sociale, gjersa edhe me iniciativë individuale ka treguar përgjegjësi ndaj shoqërisë. Ajo tha se përveç në mënyrë filantropike dhe në vetëdijësim të komunitetit të biznesit për pjesëmarrje në aktivitete të ngjajshme, veprimtaria e Cacttus ka ndikuar edhe në krijimin e një atmosfere më të mirë brenda organizatës, duke e transmetuar një ndjenjë për të qenë aktivë përveç tek stafi edhe tek studentët e Cacttus Education.
Erina Rrahmani, Udhëheqëse e Projektit në Fondacionin Jahjaga, shtoi se një ndër efektet pozitive të përfshirjes së bizneseve në kauza sociale është edhe krijimi i konsumatorëve besnikë. Sipas saj, politikat e CSR brenda një kompanie e rrisin vlerën e perceptuar të konsumatorëve ndaj kompanisë, e bashkë me këtë sjellin besnikëri sidomos nga ata klientë që besojnë në vlera të njëjta. Tutje, ajo u fokusua në nevojën e përfshirjes së grave në pozita udhëheqëse dhe nevojën për diversitet në institucione.
Anita Kosumi nga Banka për Biznes tha se edhe për këtë kompani është shumë me rëndësi pjesëmarrja në aktivitete të lidhura me CSR. Me shpalosjen e disa prej projekteve të BPB-së, Kosumi tregoi për mbështetjen që kjo kompani e ka dhënë sidomos në fushën e kulturës dhe sportit, dhe gjithashtu në rritjen e profesionalizmit tek të rinjët. Ajo e konsideroi shumë të rëndësishme përfshirjen e çdo kompanie në aktivitete të tilla, sidomos për shkak se ato e rrisin moralin jo vetëm brenda kompanisë por edhe më gjerë.
Gjatë kësaj tryeze u diskutua edhe mbi nevojën për më shumë investim në edukim, pavarësisht se kthimi në këtë investim bëhet në terme më të largëta kohore. Të pranishmit gjithashtu shtuan se është shumë me rëndësi që promovimi i aktiviteteve të CSR të bëhet pa pagesë.