Përgatitjet për zbatimin për ndalimin e eksploatimit të rërës
Prishtinë, 11 nëntor - Sot në lokalet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, u mbajt takimi i përbashkët i përfaqësuesve të MMPH, MBPZHR, MPB, MAPL, KPMM dhe MD, përkatësisht Agjencioni për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar, ku u diskutua Plani Operativ për Ndalimin e Eksploatimit Ilegal të Inerteve nga lumenjtë e Kosovës.
Sekretari i përhershëm i MMPH-së, Arben Çitaku në fillim të takimit kërkoi nga përfaqësuesit e këtyre institucioneve që bashkërisht dhe me një angazhim maksimal të përmbushin detyrat dhe përgjegjësitë për të implementuar në tërësi vendimin e Qeverisë për ndalimin e menjëhershëm të eksploatimit të inerteve nga lumenjtë e Kosovës.
Koordinatori i këtij Plani Operativ, Naim Maloku, këshilltar i ministrit Dardan Gashi, tha gjatë takimit se nuk mund të hyjmë në fazën e rehabilitimit të shtretërve të lumenjve para se të ndërpritet tërësisht eksploatimi dhe degradimi i më tejmë i tyre.
Në fund të takimit të gjithë përfaqësuesit e ministrive, të cilat janë të obliguara që të zbatojnë vendimin e Qeverisë , dakorduan për hapat e më tejmë dhe u zotuan se bashkërisht dhe me një angazhim maksimal do ta zbatojnë në tërësi vendimin e propozuar nga MMPH dhe miratuar nga Qeveria, për ndalimin e eksploatimit të materialeve inerte nga shtretërit, brigjet dhe hapësirat për rreth lumenjve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.